Skip to content

OKB: Të paktën 1.035 civilë të vrarë në Ukrainë

Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se të paktën 1.035 civilë kanë humbur jetën në Ukrainë gjatë luftës me Rusinë, 1.650 civilë janë plagosur dhe mbi 3,6 milionë refugjatë janë shpërngulur në vendet fqinje pas sulmeve.

Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) në një deklaratë ndau të dhënat e marra nga burime të ndryshme në lidhje me krizën e refugjatëve në Ukrainë.

Në deklaratë thuhet se 3.674.952 refugjatë nga Ukraina, kanë kaluar në vendet fqinje nga data 24 shkurt deri më 23 mars.

Sipas deklaratës, ukrainasit kanë shkuar kryesisht në Poloni (2.173.944), Rumani (563.519) dhe Moldavi (374.059), ndërsa 113 mijë njerëz nga rajonet Donetsk dhe Luhansk kanë kaluar në Rusi më 21- 23 shkurt.

Po ashtu, mijëra refugjatë nga vendet fqinje të Ukrainës më tej kanë kaluar drejt shteteve të tjera evropiane.

Nga ana tjetër, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), e lidhur me OKB-në, njoftoi se rreth 6,5 milionë civilë janë zhvendosur brenda Ukrainës, me çka numri i përgjithshëm i ukrainasve të zhvendosur dhe refugjatëve që kanë kaluar në vendet fqinje arriti në 10 milionë.

Ndërkaq, sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, të paktën 1.035 civilë humbën jetën dhe 1.650 u plagosën në luftën Rusi-Ukrainë nga 24 shkurti deri më 23 mars.

Megjithatë, siç thuhet më tej, numri i viktimave mund të jetë më i lartë nga ajo që është përcaktuar deri më tani.
Burimi: AA