Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) ka ndarë përmes një deklarate të dhënat lidhur me krizën e refugjatëve në Ukrainë.
Në deklaratë thuhet se 4 milionë e 656 mijë e 509 persona nga Ukraina kanë shkuar në vendet fqinje nga data 24 shkurt deri më 12 prill. Më shumë se gjysma e tyre kanë kaluar në Poloni.
Sipas shifrave të UNHCR-së shpërndarja e refugjatëve në vendet fqinje të Ukrainës është e tillë: Poloni 2 milionë e 669 mijë e 637, Rumani 709 mijë e 249, Hungari 434 mijë e 342, Rusi 433 mijë e 83, Moldavi 415 mijë e 850, Sllovaki 323 mijë e 20 dhe Bjellorusi 21 mijë e 292. Kurse nga rajonet Donjeck dhe Lugansk në periudhën 21-23 shkurt kishin shkuar në Rusi 113 mijë persona.
Zëdhënësja e UNHCR-së, Shabia Mantoo i tha korrespondentit të agjencisë turke të lajmeve “Anadolu Agency – AA” se shifra e përgjithshme është e lartë sepse disa refugjatë ukrainas udhëtojnë midis vendeve fqinje.
Dihet se qindra-mijëra nga ata që kanë shkuar nga Ukraina në vendet fqinje, prej këtu kanë kaluar në vendet e tjera evropiane.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin e OKB-së (IOM) gjithashtu ka njoftuar se 7,1 milionë civilë janë zhvendosur brenda Ukrainës.
Në deklaratën e lëshuar nga Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut raportohet se të paktën 1.932 civilë kanë humbur jetën dhe 2 mijë e 589 civilë janë plagosur në luftën Rusi-Ukrainë nga 24 shkurti deri më 12 prill.
Në deklaratë theksohet se numri i civilëve të vdekur dhe të plagosur mund të jetë shumë më i madh se sa ai i konfirmuar.
Thuhet se shumica e viktimave civile janë shkaktuar nga përdorimi i armëve shpërthyese me një sipërfaqe të gjerë ndikimi, duke përfshirë bombardimet dhe sulmet ajrore me artileri të rëndë dhe sistemet e raketahedhësve shumëgrykësh.
Në lidhje me viktimat civile në Ukrainë, OKB-ja publikon vetëm shifrat që ajo mund t’i konfirmojë. Sipas autoriteteve ukrainase, numri i civilëve që kanë humbur jetën në luftë është shumë më i madh se shifrat e publikuara.
Nga ana tjetër Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës ka deklaruar se që nga 24 shkurti, kur Rusia filloi sulmet, e deri më sot kanë humbur jetën 197 fëmijë dhe janë plagosur 351 fëmijë të tjerë.
Burimi: TRT Shqip
