Skip to content

OKB: Të paktën 75 mijë palestinezë të zhvendosur për shkak të sulmeve izraelite

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), të paktën 75 mijë palestinezë janë zhvendosur për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Gaza.

Zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për koordinimin e çështjeve humanitare, Jens Laerke, për AA tha se situata e përgjithshme mbetet alarmante. Ai bëri thirrje për një pauzë humanitare derisa të arrihet një armëpushim për të siguruar hyrjen e ekipeve të ndihmës humanitare dhe shpërndarjen e sigurt të furnizimeve të ndihmës në Gazën e bllokuar.

Ai tha se nga numri i përgjithshëm i palestinezëve të zhvendosur, 47 mijë u strehuan në 58 shkolla që i përkasin Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në Lindjen e Afërt.

Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, nga sulmet ajrore izraelite që filluan më 10 maj në Rripin e Gazës janë vrarë të paktën 227 palestinezë, përfshirë 64 fëmijë dhe 38 gra. Izraelitët kanë shënjestruar qendra shëndetësore, zyra të medias dhe lagje të banuara.

Tensionet e fundit që filluan nga Kudsi Lindor gjatë muajit të Ramazanit u përhapën në Gaza si pasojë e sulmeve izraelite ndaj besimtarëve muslimanë në xhaminë Al-Aksa dhe në lagjen Sheikh Jarrah.