Është një “farsë” e vërtetë që vendet e zhvilluara nuk e përmbushën premtimin e tyre për të ndarë 100 miliardë dollarë në vit për tranzicionin e gjelbër të vendeve në zhvillim në 10 vjet, tha përfaqësuesi i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) Achim Steiner.

Vendet e pasura janë më përgjegjëse për ngrohjen globale dhe ato ende nuk e kanë përmbushur premtimin e tyre nga viti 2009 për t’u ofruar vendeve në zhvillim 100 miliardë dollarë në vit për t’i ndihmuar ata të përballen me pasojat e rritjes së temperaturave në Tokë.

“Unë do të jem plotësisht i sinqertë – kjo është një farsë,” tha Steiner në margjinat e një takimi të ministrave të financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të grupit G20 të ekonomive kryesore të zhvilluara dhe në zhvillim në Indi.

“Mendoj se shumë vende duhet të pyesin veten nëse është ndoshta një nga gabimet më tragjike në histori që 10 vjet pas atij premtimi, shpallja e ndihmës prej 100 miliardë dollarësh ende nuk është kthyer në veprim”, theksoi zyrtari i UNDP-së.

Ai paralajmëroi se anëtarët e G20 duhet të marrin një vendim për ristrukturimin e borxhit të të varfërve.

“Duhet të shqyrtojmë mundësinë e shlyerjes së një pjese të borxhit, riprogramimin dhe ristrukturimin e tij”, tha Steiner, duke theksuar se 52 vende në zhvillim kanë tashmë probleme të mëdha me shlyerjen e borxhit ose së shpejti mund të mbeten pa para.

Rritje modeste dhe norma të larta interesi

Fshirja e 30 për qind e borxhit të jashtëm të këtyre vendeve nga viti 2021 mund t’i kursejë 148 miliardë dollarë në tetë vjet, theksoi UNDP në një raport të publikuar në fillim të kësaj jave.

Detyrimet e tyre financiare ndaj kreditorëve privatë do të ulen me 66.4 miliardë dollarë, ndaj huadhënësve shumëpalësh me 44.2 miliardë dollarë dhe ndaj huadhënësve dypalësh me 38.9 miliardë dollarë, llogariti agjencia e OKB-së.

Ukraina, Sri Lanka dhe Gana iu bashkuan grupit të vendeve që nuk arrijnë të përmbushin detyrimet e tyre financiare vitin e kaluar. Ndërkohë, Tunizia, Pakistani dhe Egjipti iu bashkuan grupit të vendeve që kërkuan ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

“Për shumë [vendet në zhvillim], problemi nuk është një ekonomi që nuk regjistron rritje, por fakti që rritja modeste dhe normat e larta të interesit në 2023 dhe 2024 nuk do t’i lënë ata me hapësirë ​​të mjaftueshme fiskale ose monetare për të zbutur krizat,” theksohet në raport.

Rreth 82 për qind e borxhit publik të jashtëm të një vendi mesatar në grupin më të rrezikuar u detyrohet kreditorëve dypalësh dhe shumëpalësh, si vendet e tjera dhe FMN ose Banka Botërore, tregoi raporti i UNDP. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re