Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Anti-Korrupsionit ka rrëzuar sot kërkesën e ish shefit të Operacionales, Oltion Bistri, i cili është arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.

Apeli GJKKO vendos të lerë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke mos pranuar zëvendësimin e masës për Oltion Bistrin.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 05.04.2024, ora 10:30, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 15 akti, datë 28.03.2024 regjistrimi, lidhur me rishqyrtimin e ankimit të personit nën hetim Olition Bistri, ndaj vendimit nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (në lëndë të masave të sigurimit personal), dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përkundrejt të hetuarit ankues Oltion Bistri”, thuhet në vendimin e Apelit të GJKKO.

Kush është Oltion Bistri

Ish shefit të operacionales, Oltion Bistri i janë sekuestruar nga SPAK, pasuri me vlerën rreth 1 milionë euro.

Bistri sipas dosjes hetimore ishte drejtuesi i strukturës më të rëndësishme të përgjimeve në Policinë e Shtetit, ndërkohë që bashkëpunonte me grupet kriminale.

SPAK në muajin shkurt vendosi vënien nën sekuestro të rreth 1 milion euro pasuri, në prona të paluajtshme, të cilat i përkisnin ish drejtorit të Forcës operacionale Oltion Bistri, i arrestuar në muajin korrik, në kuadër të hetimeve ndaj disa grupeve kriminale në vend.

Emri i tij u zbulua falë deshifrimit nga ana e autoriteteve të drejtësisë belge dhe hollandeze, të komunikimeve të realizuara përmes shërbimit të koduar Sky EncroChat, të cilat iu dorëzuan Prokurorisë së Posaçme. Në njoftimin zyrtar, prokuroria bëri të ditur se “nga hetimet e kryera dhe provat e administruara është evidentuar se që nga viti 2015 e në vijim i hetuari Oltion Bistri dhe familjarët e afërm të tij kanë kryer disa transaksione të dyshimta në lidhje me shitjen dhe blerjen e pasurive të paluajtshme”. Bëhet fjalë për të paktën tre apartamente në Tiranë, me një sipërfaqe totale mbi 900 metra katrorë, më nje vlerë të përllogaritur në mbi 450 mijë euro, si dhe dy dyqane, po në kryeqytet, me një sipërfaqe totale prej 220 metrash katrorë, vlera e të cilave shkon në mbi 530 mijë euro.

Ish oficeri i lartë i policisë, Bistri ka një eksperiencë të gjatë në polici, ku ka mbajtur disa poste me rëndësi. Forcat operacionale të cilat ai drejtoi deri pak ditë përpara arrestimit janë ndër strukturat më të rëndësishme të cilat kryejnë mes të tjerash dhe përgjime ambientale për llogari të prokurorisë. Bistri dyshohet se u ka ofruar elementëve kriminalë, informacione të cilat ai i siguronte për shkak të detyrës.

Gjatë operacionit që çoi në arrestimin e tij, në pranga përfundoi dhe drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit Xhevair Lita, ish punonjës policie, emra të njohur të botës së krimit si dhe biznesmeni Pëllumb Gjoka. Ky i fundit dyshohet të jetë përfshirë në një vrasje.

Emri i biznesmenit Gjoka, është lakuar shpesh në mjediset politike, pasi opozita e ka akuzuar atë si një person të përfshirë në blerje votash në favor të partisë socialiste. I angazhuar më parë në lojërat e fatit, në korrik të vitit 2021 kompanisë së tij Imperial Group, iu dha statusi i investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti turistik në Velipojë, me një vlerë prej 52 milion eurosh. Investim i cili nuk rezulton të ketë nisur ende.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re