Julian Sulo, i njohur ndryshe edhe si “Juli i Pashakos”, ishte shënjestër e një atentati sot në qytetin e Lushnjës.

Sulo mbeti i plagosur në këmbë dhe pasi mori ndihmën e parë në spital është shoqëruar në Komisariat për të dhënë dëshminë e tij.

Por sipas burimeve, 45-vjeçari ka zgjedhur të heshtë para uniformave blu, duke mos dhënë asnjë informacion.

Lidhur me ngjarjen, policia ka shoqëruar 6 persona.

Kush është shënjestra e atentatit?

Kjo nuk është hera e parë që Sulos i bëhet një atentat.

Më 11 qershor 2016, atij iu bë atentat pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër në një pikë bastesh nga Arjan Aliço, anëtar i bandës së Aldo Bares, i njohur si “Arti i Braçes”.

Më 18 mars 2018, Sulo është arrestuar nga forcat speciale në Lushnjë pasi nuk iu bind postobllokut të policisë për të ndaluar, ndërsa në makinë ju gjet një pistoletë me fishekë. Ai rezulton i dënuar edhe për veprimtari kriminale në fushën e lëndëve narkotike dhe krimeve ndaj personit.

Në vitin 2019 Sulo është ndaluar në kufi me Redjan Rrajan, teksa tentonte të dilte jashtë vendit pas atentatit në drejtim të ish prokurorit Arjan Ndoja.

Më 13 qershor 2023, Sulo, me vendim të Apelit të Vlorës, i janë konfiskuar disa pasuri që dyshohet se i kishte vënë përmes aktivitetit kriminal. Atij ju sekuestrua një apartament me vlerë 120 mijë euro, një mjet luksoz “Porsche Cayanne” dhe 70 mijë euro.

Çfarë është “Omertà” ose “Kodi i Heshtjes”?

“Omertà” është një kod heshtjeje, nderi dhe sjelljeje, që e ka zanafillën nga mafia italiane dhe që i kushton rëndësi heshtjes përballë pyetjeve nga autoritetet ose të huajt; mosbashkëpunimi me autoritetet, qeverinë ose të huajt, veçanërisht gjatë hetimeve penale; dhe injorimi me dashje dhe përgjithësisht shmangia e ndërhyrjes në aktivitetet e paligjshme të të tjerëve.

Filloi dhe mbetet e zakonshme në Italinë Jugore, ku organizatat kriminale të tipit mafioz (si Camorra, Cosa Nostra, ‘Ndrangheta, Sacra Corona Unita etj) kanë qenë prej kohësh të forta.

Kode të ngjashme po përdoren edhe në Shqipëri ku edhe pse e dinë autorin/ët e atentateve që ju bëhen sërish heshtin për ti zgjidhur më pas vetë “hesapet”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re