Për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta aksioni i policisë dy ditë më parë në kampin MEK  në Manëz ka prapavijë politike.

ilir meta

Në një konferencë për gazetarët, Meta u shpreh se kemi të bëjmë me një sjellje jo transparente nga ana e qeverisë shqiptare.

Sipas Metës, ky aksion nuk i ka shërbyer imazhit të vendit tonë dhe nuk ka asnjë transparencë të plotë dhe se është kryer në bazë të pretendimeve të regjimit iranian ne veprimtarinë e supozuar kundër këtij regjimi.

“Sa i takon aksionit të fundit policesk dhe politik ndaj kampit Ashraf mund të themi me bindje të qartë se ky aksion është kryer në bazë të pretendimeve të regjimit iranian ne veprimtarinë e supozuar kundër këtij regjimi. Ju e dini se qeveria jonë dhe jo vetëm ka konstatuar se regjimi iranian ka hakërruar sistemin e komunikimit elektronik të qeverisë dhe këto grupe të regjimit iranian kanë ekspozuar të dhëna dhe kanë kërcënuar qeverinë shqiptare se do publikojnë të dhëna edhe më problematike për të. Pra në vlerësimin tim kemi të bëjmë me një sjellje jo transparente nga ana e qeverisë shqiptare.

Kemi të bëjmë me një veprim politik. Kemi dëgjuar se angazhimi i tyre politik në kundërshtim me statusin e tyre është një nga shkaqet që është arritur  në një vlerësim se ata kanë bërë një shkelje me shtetin shqiptar. Por këto aktivitete janë bërë publike.

Ajo që mua me shqetëson është humbja e jetës së një banori të këtij kampi në momentin e zbatimit të këtij aksioni policesk, e cila nuk duhet të kishte ndodhur dhe njëkohësisht lëndimi i shumë banorëve të tjerë të kampit.

Besoj se i gjithë ky aksion nuk i ka shërbyer imazhit të vendit tonë dhe nuk ka asnjë transparencë të plotë edhe tani që po flasim nga ana e qeverisë.

Këto vendimet e gjykatave ne i dimë kush i kontrollon gjykatat. Këtu ka një ndryshim të sjelljes politike. Qeveria duhet të jetë transparente. Ne kemi të bëjmë me një qeveri e cila është e para që shkel ligjet e vendit dhe që është protagoniste e dhunës”, tha Meta.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re