Altin Morina është njëri nga dy ish-punonjësit e policisë që është shenjëstruar nga autoritetet shqiptare dhe ato italiane në kuadër të operacionit të përbashkët mes dy vendeve kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Burime për News 24 bëjnë me dije se Altin Morina është një nga ish punonjësit e policisë që del i përfshirë te operacioni “Ura”.
Gjithashtu rezulton se emri i tij del sërish si i përfshire në bashkëpunim me grupet kriminale në një tjetër dosje. Për rrjedhojë ai ra në prangat e policisë 2 javë më parë.
Prokurori Vladimir Mara zbuloi më herët rolin e dy policëve.
Mara tha se njëri nga policët dyshohet se ishte anëtar i grupit të strukturuar kriminal, ndërsa tjetri dyshohet për korrupsion.
Për avokatin, prokurori tha se ndaj tij dyshohet për 4 episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm te zyrtarë të ndryshëm , përfshirë edhe zyrtarë të drejtësisë.
Vladimir Mara: Dy policët dhe avokati. Njëri prej policëve ka qenë i përfshirë si pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Jemi gjithmonë në fazën e dyshimeve, polici dyshohet i përfshirë në grupin kriminal me veprime aktive. Polici tjetër ka të bëjë me një episod të korrupsionit. Avokati dyshohet për 4 episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm te zyrtarë të ndryshëm , përfshirë edhe zyrtarë të drejtësisë.
Kujtojmë se grupi i fuqishëm kriminal shqiptar me qendër në Durrës u shkatërrua nga autoritetet italiane në bashkëpunim edhe me SPAK.
Banda merrej me trafikun e kokainës nga Shqipëria, Italia, vendet e BE deri në Amerikën Latine.
Prokurorët njoftuan se për operacionin e përbashkët janë urdhëruar 51 masa arresti dhe një masë ndalimi, nga të cilat janë ekzekutuar 42.