Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka refuzuar thirrjen e SHBA-ve për ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve në Sirinë veriore

Refuzimi i Erdogan vjen pak para vizitës në Turqi të zv. presidentit amerikan Mike Pence.

“Ata po na thonë ‘shpallni armëpushim’. Por kjo nuk ka shanse,” u tha Erdogan gazetarëve ne një konferencë.

“Ata po na bëjnë presion për të ndaluar operacionin. Ata po shpallin sanksione. Qëllimi ynë është i qartë. Ne nuk mërzitemi nga asnjë sanksion”, shtoi presidenti turk.

Turqia nisi një ofensivë për të larguar milicitë kurde nga kufiri, pasi aleati i tyre kryesor, SHBA, u tërhoq nga ky rajon.

Rusia, e cila mbështet Sirinë, ka thënë se mund të bëhet “garantues” për të ndaluar përleshjet midis forcave turke dhe siriane të cilat tani janë zhvendosur në zonë.

Turqia i konsideron milicitë e Forcave Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët një organizatë terroriste dhe kërkon t’i largojnë ata nga zona kufitare.

Ankaraja gjithashtu thotë se dëshiron të krijojë një zonë të sigurt për të riatdhesuar dy milion refugjatë sirianë që aktualisht strehohen në Turqi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re