Antimafia italiane ka shkatërruar një grup trafikantësh italo-shqiptarë që kishin spostuar mbjelljen e plantacioneve me kanabis nga Shqipëria në Itali e kontrollonin trafikun e marijuanës në tre rajone italiane; Puglia, Sicilia e Basilicata.

Antimafia italiane me urdhër të Prokurorisë së Barit ka ekzekutuar sot 11 urdhër arreste me masë sigurie “arrest shtëpie” ndaj 5 shtetasve italianë e 6 shqiptarë të akuzuar për pjesëmarrje në organizim kriminal me aktivitet në prodhim e trafik lëndësh narkotike e armëmbajtje ilegale.

Arrestimet janë kryer në kuadër të operacionit të koduar “Zemra” me hetime të nisura nga tetori i vitit 2018 në tetor të 2019 e që zbardhi aktivitetin kriminal të 11 të arrestuarve.

Disa prej të arrestuarve pas ekzekutimit të operacioneve “Kulmi” e “Shefi”, e kishin spostuar prodhimin e marijuanës nga Shqipëria në territorin e provincave të Barit e Foggia-s.

Operacioni “Zemra” çoi në sekuestrimin në Itali të dy plantacioneve të mbjella me marijuanë me rreth 8 mijë rrënjë kanabis, baraz me 1 tonë e gjysëm marijuanë që për autoritetet italiane do të mund të hidhnin në treg rreth 10 mijë doza drogë.

Aktiviteti investigativ i Antimafias së Barit në zonat e komunave Cerignola, Bisceglie e Oria ka dokumentuar trafikimin përmes rrugës tokësore, të sasive të mëdha marijuane drejt rajoneve Basilicata e Sicilia e në të gjithë territorin e Puglias.

Transporti i drogës bëhej përmes korrierëve shqiptarë të identifikuar e banues në Basilicata e Sicilia e që përdornin dy automjete që lëviznin në stafetë me njëri-tjetrin.

Operacioni “Zemra” ka çuar në sekuestrimin e 113 kg marijuanë, 140 kg hashash, gjysëm kg kokainë, dy plantacione me rrënjë kanabis e dy pistoleta me numër serie të fshirë.

Autoritetet e Antiamafias Italiane kanë theksuar në komunikimin e tyre se operacioni Zemra është një tjetër sukses i punës së përbashkët me autoritetet policore shqiptare e kanë nënvizuar rëndësinë e operacioneve të përbashkëta të mëparshme si Shefi, Kulmi e Shpirti të ekzekutuara në vitet 2018, 2020 e 2021 e që çuan totalisht në 118 urdhër arrestime e sekuestrime pasurish me vlerë disa milioan euro. Këto arrestime janë kryen falë rrëfimit të katër shtetasve italainë bashkëpunëtorë të drejtësisë.

Ndërsa 11 arrestimet e sotme janë ekzekutuar në provincat e Barit, Pavia e Bat.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re