Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re

Aktori Genc Fuga është duke luftuar për jetën duke iu nënshtruar një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale në Spitalin Amerikan. Kostoja e lartë e kësaj ndërhyrjeje ka ndërgjegjësuar shumë miq të artistit por edhe ka ngritur shqetësimin e madh nga ekspertet për një reformim të në sistemin shëndetësor.

Të tillë shqetësim e ka ngritur mjeku i njohur, Erion Dasho i cili në një postim në Facebook liston disa prej ndryshimeve urgjente që i duhen medoemos sistemit shëndetësor. Braktisja e sektorit publik është një fenomen shumë shqetësues për vendin tonë, pasi nuk parasheh alternativë për qytetarët e thjeshtë.

“DUHET NDRYSHIM! SA MË PARË!

Shumë shpesh shkruaj e flas për nevojën e reformimit të sistemit shëndetësor, për reformën në sistemin e financimit dhe pagesave (të cilin personalisht e shoh të lidhur me sigurimet shëndetësore sociale), etj., dhe jo rrallë marr komente se kjo gjë u duket shumë teorike lexuesve dhe dëgjuesve.

Sot, një ndër aktorët dhe regjisorët e njohur shqiptarë është duke u trajtuar në një strukturë shëndetësore private për një urgjencë shëndetësore dhe familjarët kërkojë ndihmë nëpërmjet mbledhjes së fondeve për të përballuar faturën e operacionit.

Ky rast hap një numër të pafund problemesh, ku unë do të veçoja:

Së pari, është turp për një shtet europian që një ndërhyrje kirurgjikale e urgjencës realizohet në një spital privat dhe jo në QSUT. Mjafton ky rast që QSUT, dikur e drejtuar edhe nga klarinetistë, të humbasë statusin e një qendre terciare.

Së dyti, është skandal që pagesa për shërbimet jetëshpëtuese të ofruara nga strukturat shëndetësore private nuk mbulohet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Ka më shumë se dhjetë vjet që ka nisur blerja e shërbimeve private nga Fondi, por lista e shërbimeve që blihen ka mbetur e limituar dhe klienteliste.

Së treti, shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen se mjekët janë duke u larguar jo vetëm jashtë vendit, por edhe brenda Shqipërisë janë duke braktisur sektorin publik. Fakti që një ndërhyrje neurokirurgjikale bëhet vetëm në një spital privat, flet shumë.

Duke i uruar aktorit shërim të shpejtë dhe të plotë dhe duke qënë i bindur se statura e tij do të bëjë të mblidhen jo 19 mijë eurot e nevojshme për të paguar ndërhyrjen kirurgjikale, por shumë më tepër se kaq, nuk mund të mos mendoj qytetarët e thjeshtë që ose duhet të shesin shtëpi e katandi për të përballuar fatura të tilla, ose duhet të vdesin.

Kjo situatë nuk mund të zgjasë më! Duhet ndryshim!”-shkruan Erion Dasho.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re