Nga Prof. Dmitry V. Shlapentokh

– Autori i shkrimit është profesor i asociuar i historisë në Universitetin e Indianës, South Bend.

Çdo ngjarje, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen, mund të trajtohet nga një këndvështrim tjetër dhe të vendoset në kontekste të ndryshme. Këtu nuk bën përjashtim as vizita e presidentit rus Vladimir Putin në Iran. Disa implikime dhe pritshmëri të kësaj vizite janë të qarta. Megjithatë, ka një aspekt tjetër të ngjarjes ndërsa vëzhguesit zakonisht e anashkalojnë atë: gjatë vizitës në Iran, Putini ose disa anëtarë të tjerë të elitës ruse mund të mendojnë që të ndjekin rrugën iraniane. Megjithatë, një gjë e tillë vështirë se është e mundur në Rusinë e sotme.

Rusia po bëhet gjithnjë e më e ngjashme me Iranin, të paktën nga jashtë, sepse të dyja vendet janë bërë relativisht të izoluara. Ka mundësi që, nëse jo vetë presidenti Putin, disa segmente të elitës ruse kanë menduar të imitojnë Iranin, i cili ka mbijetuar dhe ka ruajtur fuqinë e saj pavarësisht sanksioneve perëndimore prej më shumë se 40 vitesh.

– Rusia si partner jo i besueshëm i Iranit

Pjesa më e madhe e elitave ruse nuk kanë vlerësuar kurrë shumë Iranin. Moska realisht vendosi të angazhohet me Iranin pas rënies së BRSS-së. Megjithatë, ajo nuk kishte për qëllim të jetë një partner i ndershëm i saj. Sipas marrëveshjes së vitit 1995 ndërmjet zëvendëspresidentit amerikan Al Gore dhe kryeministrit rus Viktor Chernomyrdin, Rusia nuk do t’i dorëzonte më Iranit asnjë armë pas vitit 1999. Marrëveshja në fjalë u hoq pas ardhjes së Putinit në pushtet. Megjithatë, është vështirë të quhet një përafrim i vërtetë i Iranit. Ky vend vazhdoi të shihej si një mjet pazaresh në marrëdhëniet me Perëndimin.

Shembujt janë të shumtë. Irani bleu raketa S-300 madje duke bërë një pagesë paraprake. Mirëpo, së shpejti Dmitry Medvedev, i cili formalisht zëvendësoi Putinin si president, e anuloi marrëveshjen pavarësisht reagimeve të Teheranit. Raketat u dorëzuan vetëm pas vonesës disa vjeçare edhe atë pas një përkeqësimi të dukshëm të marrëdhënieve midis Rusisë dhe Perëndimit. Rusia ishte angazhuar në ndërtimin e termocentralit bërthamor në Bushehr. Ndërtimi u vonua me vite të tëra.

Thirrjet e Teheranit për ekspertizën e Moskës i shtyu elitën ruse të ndjekë elitën perëndimore në vizionin e parashikueshëm të potencialit shkencor dhe teknologjik të Iranit. Elita perëndimore, veçanërisht ajo amerikane, proklamonte se shkenca dhe teknologjia mund të zhvillohen vetëm në kontekstin e “demokracisë” perëndimore dhe filozofisë përkatëse të “diversitetit”, “përfshirjes” dhe “veprimeve afirmative”, të cilat në jetën reale nënkuptonin rëndësinë e një kuotë të pakicave racore dhe grave. Kjo teori nuk i përshtatej realitetit. Kina, e zhvilloi shkencën e saj pa “diversitet” dhe “përfshirje” të proklamuara. Megjithatë, ajo shpejt e mbërriti SHBA-në.

Në rastin e Iranit, modeli ishte edhe më i thjeshtë: universitetet dhe institucionet kërkimore iraniane pushuan së ekzistuari në diskursin akademik amerikan. Elita ruse nuk e ndau shqetësimin e SHBA-së për “diversitetin” dhe “përfshirjen” duke përqeshur këtë me të gjithë spektrin kulturor të shoqërisë dhe kulturës amerikane. Nga ana tjetër, ata kishin të njëjtin mendim me përbuzjen amerikane ndaj Iranit si “një vend i fanatikëve fetarë dhe aziatikë primitivë që nuk mund të ofronin asgjë përveç gazit dhe naftës”. Tani, bile disa anëtarëve të elitës ruse, nëse jo Putinit, ju hapën sytë. Ndërkaq disa prej tyre, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme, e shihnin Iranin, të izoluar për më shumë se 40 vjet, si një model për Rusinë.

– Arritjet e Iranit dhe arsyeja e përpjekjeve

Putini diskutoi shumë tema me liderët iranianë dhe ishte i kënaqur nga mbështetja e tyre e plotë për ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë si “një luftë parandaluese kundër sulmit të pashmangshëm të NATO-s”. Mes temave të shumta që u diskutuan, Putin i kërkoi Iranit disa qindra dronë ushtarakë. Disa vëzhgues madje janë të mendimit se tashmë disa dronë janë dorëzuar. Kërkesa për dronë tregon se Irani nuk është një vend i prapambetur shkencor dhe teknologjik, por një vend me një shkencë shumë të zhvilluar, moderne dhe bazë të fortë industriale, pa të cilën nuk mund të prodhoheshin dronët.

Fakti që Irani ka të ngjarë të vazhdojë drejt krijimit të armëve bërthamore është një dëshmi shtesë e aftësive të larta shkencore dhe teknologjike të shtetit. Mund të thuhet se Irani e ka zhvilluar këtë aftësi shkencore pavarësisht izolimit nga universitetet dhe ‘think-tank-et’ perëndimore si dhe vrasjet e vazhdueshme të shkencëtarëve bërthamorë iranianë, që dyshohet se janë kryer nga Izraeli. Pse Irani është në gjendje të durojë presionin? Përgjigjja e vërtetë mund të gjendet në kuadrin socio-ekonomik të shoqërisë iraniane. Shteti kontrollon rreth 60 për qind të ekonomisë iraniane, e cila i mundëson elitës të planifikojë të ardhmen dhe të kufizojë varësinë e vendit nga importet.

Me pak fjalë, Irani me etikën e saj të fortë korporative dhe elementet e strukturës “neo-socialiste” me veshje neo-mesjetare islame, është me të vërtetë “de-perëndimor”. Apo, më saktë, me veshje perëndimore, p.sh. në saje të teknologjisë perëndimore, vendoset në një trup thelbësisht “postperëndimor” ose “joperëndimor”. Ngjarja është krejt ndryshe me Rusinë e Putinit.

– Pse Rusia nuk është Iran?

Në të vërtetë, me të gjitha ndryshimet e saj, baza e jetës socio-ekonomike të Rusisë nuk ka ndryshuar shumë që nga fillimi i viteve 1990, epoka e “privatizimit”. Shumica e manjatëve veprojnë si lojtarë të pavarur dhe vetë nocioni i planifikimit të shtetit, në këtë apo atë formë, nuk flet shumë për nacionalizimin, është jashtë diskutimit. Për këtë arsye ka ngecur “zëvendësimi i importit” thelbësor për qëndrueshmërinë ekonomike dhe gjeopolitike të vendit. Korrupsioni është i përhapur ndërsa pabarazia socio-ekonomike është e dukshme.

Nuk është për t’u habitur që paratë janë motivimi kryesor për rusët nga provincat në depresion që t’i bashkohen ushtrisë për të luftuar në Ukrainë. Deklaratat e elitës ruse për vlerat e ndryshme ruse dhe dallimet civilizuese janë në thelb një mashtrim. Në rastin e Iranit, ndërsa veshja perëndimore vendoset në një trup korporativ në thelb “joperëndimor”, në rastin e Rusisë, disa segmente të elitës duan të vendosin veshjet tradicionaliste të Rusisë në thelb mbi trupin kapitalist të Perëndimit modern. Këto ujdi nuk do të funksionojnë mirë në planin afatgjatë.

Rusia e sotme jo vetëm që nuk mund të jetë Iran, por nuk mund të diskutohet as edhe për një aleancë të fortë me Iranin, për shkak të kujtimeve nga e shkuara. Rrjedhimisht, nuk duhet pritur shumë rezultate nga vizita e Putinit në Teheran, qoftë për evolucionin e brendshëm të Rusisë, qoftë për politikën e jashtme. Rrjedhimisht, regjimi mund të jetë i paqëndrueshëm në planin afatgjatë, pavarësisht nga pushtimet e fundit.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re