Opozita ka bllokuar mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, ku ishte parashikuar raportimi i drejtueses së shërbimit sekret, Vlora Hyseni, për buxhetin e vitit të ardhshëm.

 

Komisioni i sigurisë ishte i vetmi që u zhvillua në ambientet e kryesisë dhe të gjithë deputetët demokratë shkuan në sallën e mbledhjes, duke mos lejuar kolegët socialistë të zinin vendet e tyre për të dëgjuar drejtuesen e shërbimit informativ shtetëror. Në këtë situatë edhe komisioni i sigurisë u zhvendos online.

 

Ndërkaq në mbledhjen e grupit, deputetët demokratë vendosën të vazhdojnë bllokimin e punimeve të parlamentit deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

 

SALI BERISHA

 

“Gjer në rivendosjen e plotë të të drejtave kushtetuese të përfaqësuesve të popullit opozitar në parlament. Edi Rama bën luftë tani me Kushtetutën, bën luftë me popullin opozitar. Shkelmon mbi të drejtat e popullit opozitar.”

 

Kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi nuk përjashtoi edhe veprime ekstreme nëse mazhoranca nuk reflekton.

 

GAZMENT BARDHI

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PD

 

“Do të vijojmë aksionin tonë për t’i bërë të pamundur mazhorancës zhvillimin e mbledhjeve. Po na nxisin që të shkojmë drejt akteve ekstreme.”

 

Në kampin opozitar bie në sy qëndrimi i kryetares së Komisionit të Integrimit Jorida Tabaku, e cila nuk ka marrë pjesë në aksionin për bllokimin e parlamentit. Tabaku anuloi edhe mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ku ishte i ftuar ambasadori i BE, Luigi Soreca.

 

Jorida Tabaku

 

“Nuk desha që skenat e së premtes të përsëriteshin në sy të ambasadorit. I kërkova z. Soreca mirëkuptim.”

 

Prej javësh opozita nuk ka lejuar zhvillimin normal teë punimeve të parlamentit, duke këmbëngulur se mazhoranca duhet të respektojë të drejtat e saj kushtetuese për të ngritur komisione hetimore e për të caktuar anëtarët e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re