Kur Monika Kryemadhi, kryetare e LSI deklaroi para 25 prillit se Ilir Meta ka këshilltarë jo profesionistë dhe të papërvojë, deklarata e saj u kalua pa vënë re.

Bëhet fjalë për rastin e çmendjes së Ilir Metës para zgjedhjeve teksa dha në një ditë dy konferenca shtypi në Vlorë dhe një në Tiranë.

Madje të shumtë ishin ata që panë nota pakënaqësie kundër Metës nga ana e Monikës, e cila nuk ishte shumë entuziaste për mbështetetjen që kreu i shtetit po i jepte numrit dy të listës së LSI në qarkun e Vlorës, Grisejda Myslimit apo siç cilësohet rëndom “Zonjusha e parë” e LSI.

Për hir të së vërtetës, Kryemadhi e tha në mënyrën më të zbutur versionin e saj për këshilltarët e Metës, duke evituar fjalën “mizerabël”.

Të cilin miku i familjes Meta-Kryemadhi nuk e kurseu për Lulzim Bashën pas zgjedhjeve të vitit 2017, teksa humbjen e thellë të PD ia atribuoi edhe këtyre këshilltarëve të këqinj!

Dhe kur arrin Kryemadhi në një konkluzion të tillë që Meta ka këshilltarë mizerabël, e thenë me terma financiarë “investim e lekë të shkuara dëm”, imagjinoje sa të këqinj janë këta këshilltarë.

Mjafton të shikosh njerëzit që rrethojnë Ilir Metën dhe bindesh katërcipërisht se ata janë këshilltarë që jo vetëm nuk e frenojnë marrëzinë e Presidentit, por janë në mos shkaktarët nxitësit për ta thelluar akoma më shumë një marrëzi të tillë.

Dhe një mendësi e tillë nuk ka ndryshuar as tani që Edi Rama ka “çimentuar” mandatin e tretë qeverisës, me 74 vota që i lejojnë PS-së të qeverisë e vetme një mandat të dytë qeverisës, dhe të tretin duke marrë parasysh se në 2013 erdhi në pushtet në koalicion me LSI.

Eshtë e trishtueshme kur dëgjon dhe sot analistët pranë Metës e LSI që deklarojnë se acarimi i Presidentit e detyrimi që të dalë në fushën e betejës do jetë një bumerang për Ramën dhe PS-në!

Bëhet fjalë për rastin aktual të kërkesës së mazhorancës së PS për shkarkimin e Presidentit!

Eshtë një deklaratë e njejtë me periudhën e çmendjes së Metës para zgjedhjeve të 25 prillit, kur po të njejtët këshilltarë-analistë deklaronin  me zë dhe figurë se zbritja e Metës në fushën e betejës, do t’i kthehet në një bumerang votash Edi Ramës dhe do të sjellë humbjen e thellë të tij në zgjedhje.

Dhe më e keqja ështrë se këtë ia këshillonin atëherë e sot Metës, LSI e opozitës.

Për hir të së vërtetës Edi Rama nuk gjeti rehat deri në momentin kur ‘nxori’ nga Presidenca Ilir Metën dhe e “hodhi” në fushatë përkrah LSI dhe opozitës. Nuk kishte parashikuar se do kalonte në të tilla çmenduri sa të bënte thirrje për kapjen e sfurçeve dhe kosoreve, apo mjeteve të tjera rrethanore për të mbrojtur votën e lirë. Por ama përfitim politik kishte llogaritur!

Dhe me të vërtetë mori goxha përfitim Rama me ekspozimin e Metës si njeriu që pritej të vinte në pushtet, pas nxjerrjes së tij nga Presidenca, futjes në fushatë dhe nxjerrjes totale nga binarët.

Dhe nëse Edi Rama do të kishte arritur të nxirrte dhe të “shënjuarin” tjetër, Sali Berishën, atëherë është e sigurtë që PS do të merrte dhe mbi 80 mandate deputeti.

Por strategët izraelitë të fushatës u kujdesën shumë që Sali Berisha të qëndronte jashtë skemës së PD, megjithëse ndikoi jo pak negativisht në votat e elektoratit gri thjeshtë dhe vetëm me akuzat e deklaratat e Ramës se vota për Lulin e Monikën ka në “paketë” Berishën dhe Metën.

Tashmë pas zgjedhjeve në të njejtën gjatësi vale, të gjithë këshilltarët e opozitës propozojnë një qëndrim të fortë ndaj mazhorancës së Ramës, këshilla mot a mot sikurse jepeshin në shkurt të vitit 2017 apo në fillim të vitit 2019, ku me gjithë ngujimin, sulmin ndaj isntitucioneve dhe më gjërë, opozita vetëm sa u rrënua akoma më shumë dhe humbi të gjitha pushtetet duke dalë jashtë sistemit. Por dhe duke ndikuar në humbjen e radhës në zgjedhjet e 25 prillit!

Dhe tani Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, pa përjashtuar dhe Ilir Metën, i jepen këshilla për të mos njohur zgjedhjet, ndërkohë që SHBA dhe vendet kryesore të BE e kanë uruar fituesin Edi Rama, qëndrim që nuk e lëviz as “topi” më!

Madje këshillohet opozita që të mos marrë as mandatet e deputetit, pa llogaritur pastaj akuzat në emër të opozitës se për largimin e Bashës nga drejtimi i PD apo Monikës nga drejtimi i LSI është një skemë që i shkon për ‘osh’ vetëm Edi Ramës.

Madje dhe e akuzojnë Edi Ramën se po i sponsorizon vetë këto kërkesa për largimin e Bashës, për qëllimet e tij politike, dhe dominimin e politikës në vend.

Por nëse ka një njeri të interesuar që Lulzim Basha të mos lëvizë nga drejtimi i PD dhe Monika Kryemadhi nga drejtimi i LSI është vetë Edi Rama. Ka fituar sa herë është përballur ndaj tyre.

Për të janë kundërshtarët më komode dhe i bie që të largohet nga qeverisja vetëm atëherë kur të dëshirojë vetë.

Ndaj është më e udhës që opozita, PD dhe LSI, në vend që të paguajnë rëndshëm këshilltarë të tillë nga radhët e analistëve tanë, të cilët për vite me radhë lëvizin vetëm në trekëndëshin shtëpi-kafe-studio televizive dhe e kanë humbur kontaktin me kohë me lajmin, shumica s’janë marrë kurrë në jetën e tyre me lajmin, të zbresë në bazë njëherë dhe të njihet me anëtarësinë.

Të pyesë çfarë duan, si duan ti zgjedhin kandidatët, nga radhët e atyre që qëndrojnë në ekrane apo atyre që bëjnë ndonjë punë, nga radhët e njerëzve të pjekur që u ka thënë dikush “puna e mbarë” apo nga radhët e adoleshentëve që mund te jenë kamikazë por s’prodhojnë besim e vota.

Duhet ta kuptojë opozita, por dhe tërë politika se ka ardhur koha që dhe këshilltarët, qofshin këta analistë, të bëjnë njëfarë rotacioni, apo të qetësojnë veten duke pushuar!

Pasi mund të arrijnë deri atje sa të quajnë injorantë të gjithë socialistët që votojnë majtas dhe Edi Ramën, apo që ende nuk knëi kuptuar se pse po votohet gjithnjë majtas! Janë situata të rënda këto!/(M.N-TemA)