Ish-kryeministri Sali Berisha është prononcuar për mediat para Kryesisë së Kuvendit, ku sot opozita zhvilloi aksionin e radhës, duke bllokuar punimet e komisioneve parlamentare.

Në lidhje me atë çfarë ndodhi sot në Kryesi, Berisha akuzon kryetaren e Kuvendit se ka lënë në ashensor 6 deputetë, duke shtuar se ngjarja do të hetohet.

Berisha u ndal dhe te prezantimi i buxhetit nga ministri i Financave dhe Ekonimisë, Ervin Mete, duke thënë se nuk u zhvillua në një takim të hapur apo me praninë e grupeve të interesit, por kaluan në një klub.

Ish-kryeministri u shpreh se beteja e tyre do të vijojë derisa opozitës t’i rikthehen të drejtat e saj kushtetuese.

“Kryetarja e Kuvendit krijoi një përpjekje e cila do të hetohet në mënyrë të hollësishme sepse mbylli derën në një kohë kur 6 prej tyre ishin në ashensor në kat të katërt dhe nga çdo lloj avarie mund të përfundonin në kat të parë. Është turp i madh  dhe tregon se Parlamenti ka humbur çdo të drejtë së funksionuari. Tregon se Rama e ka shndërruar në një bunker, njësoj kur qeverisnin etërit e tij barbarë.

A mund të imagjinojnë shqiptarët se kanë kaluar në klandestinalitet buxhetin. Në vend të një diskutimi të hapur, takimi me grupet interesit, kaluan në një klub dhe aty po miratojnë buxhetin në mënyrën më të papërgjegjshme dhe qesharake.

Kanë vendosur pa punonjës të ministrisë së financave, online. Online do të thotë dy kondita; luftë ose pandemi. Por, këta nuk njohin as ligj as moral. Kjo ditë shënon rekorde më të zeza të parlamentarizmit. Opozita është në këmbë! Vetëm rikthimi i të drejtave kushtetuese, nuk ka asnjë negocim tjetër.

Opozita kalon çdo parashikim, nëse kalojnë në klandestinitet, në klube e mejhane.  Beteja nuk ka të ndaluar”, tha Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re