VALENTINA MADANI/ Seanca plenare e radhës u mbyll sërish mes kaosit dhe zgjati vetëm 24 minuta. Që pa nisur seanca, deputetë të PD-së të përjashtuar nga Komisioni i Etikës patën përplasje verbale me punonjësit e Gardës tek hyrja e Parlamentit. Ata nuk u lejuan të hynin brenda.

Teksa Lindita Nikolla lexonte rendin e ditës dhe nisi votimin nen për nen për projektligjet, opozitarët nisën t’u binin zhurmueseve. Ndërkohë, nga rendi i ditës u hoq projektligji për lojërat e fatit. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe nuk lejuan zhvillimin normal të Kuvendit.

Edi Paloka pasi mbajti një fjalim, i vuri flakën rregullores së Kuvendit. Ndërkohë Dashnor Sula ka hedhur “para” nëpër sallë duke ironizuar ligjin për bastet. Pavarësisht kësaj situate, mazhoranca vijoi me votimin e projektligjeve që ishin parashikuar të kalonin. I vetmi ligj që nuk kaloi ishte ai për bastet, që u hoq nga rendi i ditës po me kërkesë të PS-së. Në një kohë që deputetët ishin duke protestuar, maxhoranca votoi me 74 vota pro heqjen nga rendi i ditës të nismës ligjore për lojërat e fatit.

Ratifikimi i marrëveshjes me Italinë për emigrantët azilkërkues mbetet ende në pritje për të marrë dritën jeshile të Parlamentit. Kuvendi do të votojë vetëm pasi vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese të jetë botuar më parë në Fletoren Zyrtare. Kushtetuesja dha dritën jeshile për ratifikim në një vendim të datës 29 janar. Deputeti i PD-së, Edi Paloka, u bëri thirrje deputetëve të mazhorancës të mos ndjekin rrugën e kryeministrit Edi Rama, ndaj të cilit hodhi akuza të rënda duke e cilësuar si “një diktator që i dihet fundi”. Ai paralajmëroi edhe kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, se për aq kohë sa opozitës nuk i garantohen të drejtat e saj kushtetuese, nuk do të ketë Parlament normal.

“Më 20 shkurt të 1991-it unë kam qenë në grevë urie. Nga një televizor që kishim aty, ndiqnim se ç’bëhej në Tiranë. Pasdite erdhën qytetarët dhe sollën copat e diktatorit e kokën e tij. Ne dolëm nga greva dhe unë doja të bëja një fotografi me ato copat, por për fat të keq s’arrita sepse njerëzit përveçse e kishin tërhequr zvarrë, kishin përmjerrë mbi të dhe qelbte erë. Ky që mendon sot se me arrestimin e Berishës ka arritur diçka, kur t’i vijë dita, edhe ai era shurrë do të mbajë, edhe ju që i shkoni pas, mendoni fundin tuaj. Para se t’i vijë fundi, uroj t’ju ketë marrë me radhë. Zonjë, ky nuk është Parlament, vetëm pamja flet boll. Nëse ju gënjen mendja se kështu do ecni në rrugën tuaj për turpin e faqen e zezë të këtyre, e keni gabim. Diktatorët një fund kanë, lëreni ta mbulojë shurra shefin tuaj, mos i shkoni pas! Nuk ka Parlament këtu derisa t’i jepen të drejtat kushtetuese opozitës, hajdeni që në 7 të mëngjesit, por Parlament normal nuk keni!”, – deklaroi Paloka.

I përjashtuar me 20 ditë nga Kuvendi për shkak të incidenteve në seancat e shkuara, por Flamur Noka i PD-së nuk ndalet. Pa nisur seanca e djeshme plenare, ai tentoi të futej brenda ambienteve të Parlamentit e më pas ka hedhur miell mbi punonjësit e Gardës.

“Po i shërbejnë narkoregjimit”, – tha ai për gazetarët. Ky veprim në shenjë proteste, sipas tij, nuk mbaroi me kaq.

Ai i hodhi miell edhe sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, Genc Gjonçaj. Ky i fundit nuk bëri asnjë veprim, përveçse e duartrokiti në formë ironie për gjestin. Nga ana tjetër, edhe deputeti Dash Sula u shfaq i veshur në mënyrë simbolike kundër ligjit që rikthen bastet ‘online’. Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë në vijim, por deputetët demokratë duken më se të vendosur për të penguar zhvillimin normal të diskutimeve.

Deputetët e Partisë Demokratike hodhën vezë mbi eskortën e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla. Kjo ngjarje u regjistrua në ambientet e jashtme të Kuvendit pak pasi përfundoi seanca parlamentare. Eskorta e ministrit Balla ishte duke u larguar nga ambientet e Kuvendit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re