Opozita hungareze kritikoi ashpër vendimin e qeverisë së Viktor Orban për të pranuar kërkesën e ish-kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski për azil në atë vend.

“Gruevski, emigrant VIP i Orban”, ishte një banderolë e saj e shfaqur në parlament.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, sekretari shtetëror Balazs Orban tha se Gruevski kishte kërkuar azil pas mbërritjes së tij në Budapest.

Ai gjithashtu theksoi se Hungaria nuk e ndihmoi Gruevskin të largohej nga Maqedonia dhe se veprimet e Budapestit ndaj ish-kryeministrit maqedonas ishin rezultat i “arsyeve të sigurisë”.

Opozita, megjithatë, kërkoi të kuptonte se si Gruevski në fakt erdhi në Hungari, si dhe shpjegimin e trajtimit të posaçëm që dyshohet se po gëzon në vend.

Partia e gjelbër e opozitës, LMP, njoftoi të hënën se kishte bërë thirrje për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar rastin e Gruevskit.

Sipas kreut të kësaj partie, ky rast po dëmton seriozisht reputacionin e Hungarisë.

Situata me Gruevskin në ditët e fundit po shoqërohet me spekulime të shumta për rrugët e ardhjes së tij në Hungari dhe për atë se kush e ndihmoi.

Ndërkohë, Budapesti pohon se Shkupi nuk ka paraqitur ende një kërkesë për ekstradimin e ish-kryeministrit.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re