Opozita i kërkon Presidentit të Republikës të mos dekretojë ndryshimet në ligjin për Komisionet Hetimore të miratuara vetëm me votën e Partisë Socialiste.

Kryetari i Grupit Parlamentar Demokrat, Gazment Bardhi, i ka dërguar një letër kryetarit të shtetit, ku i bën apel të rikthejë sërish në parlament këtë ligj, pasi sipas opozitës ndryshimet e bëjnë të pamundur hetimin parlamentar nga ana e opozitës.  Bardhi vë në dukje se hyrja në fuqi e ndryshimeve në ligjin për komisionet hetimore do të ashpërsojë situatën e tensionuar në parlament, duke i bërë apel kryetarit të shtetit të krijojë hapësirën dhe mundësinë për një dialog mes opozitës dhe mazhorancës.

“Hyrja në fuqi e këtij ligji, që në mënyrë antikushtetuese nuk lejon kontrollin efektiv parlamentar nga ana e pakicës, do të minonte çdo mundësi dialogu mes palëve politike në Parlament, për gjetjen e një zgjidhje mbi situatën e krijuar. Në këtë kuptim presidenti i republikës, si kreu i shtetit, duhet të luajë rolin e tij kushtetues për të nxitur dialogun politik mes palëve, ku përfshihet edhe diskutimi e miratimi konsensual i ndryshimeve në ligjin për Komisionet Hetimor”, tha Bardhi.

Ndryshimet në ligjin për Komisionet Hetimore u miratuan në seancën e 21 dhjetorit pa konsensusin e opozitës, e cila e ka bërë të qartë se nuk i pranon këto ndryshime të cilat sipas demokratëve ngushtojnë çdo hapësirë për hetimin real të një çështje.

Prej 5 tetorit opozita ka nisur aksionin për bllokimin e çdo mbledhje të parlamentit, duke vendosur 3 kushte; e para ngritja e komisioneve hetimore, e dyta e drejta e vetos në komisionin e reformës zgjedhore dhe e fundit zyrtarizimi i Gazment Bardhit si kryetar i grupit parlamentar të PD. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re