E ftuar në studion e ‘Panorama TV’, pedagogia Irsa Ruçi, ka folur për situatën politike në vend, duke thënë se gjitha kjo është e qëllimshme dhe e ushqyer prej shumë vitesh për t’i ulur kokën popullit.

Ruçi tha se njerëzit duhet të protestojnë për të vënë politikën me shpatulla pas murit që të reflektojë, por kjo nuk ndodh sepse ata kanë zgjedhur të largohen.

Ajo gjithashtu u shpreh se politika është larguar nga populli, ndryshe nga dikur kur “luftonin” për t’i pëlqyer sepse ishin ata që vendosnin.

“Kjo është e qëllimshme, nuk është bërë tani. Është një fushatë e ushqyer me dekada me radhë për të ulur sa më shumë kokën e kësaj shoqërie që të mos merren më me të. Politika t’u takojë një grushti njerëzish. Politika ishte për t’i pëlqyer popullit sepse ata vendosnin, por tani nuk kanë nevojë më për këtë popull. Janë larguar jashtëzakonisht shumë nga problematikat dhe hallet.

Do të doja që politika të ringjallej sërish. Protestat e shëndetshme të vijë si nevojë e njerëzve për t’u rebeluar. Por njerëzit nuk po zgjedhin të shpërthejnë, por të ikin. Duhet ta vendosin politikën me shpatulla pas murit për të reflektuar”, tha ajo.

Sipas pedagoges, opozita ka vite që ha byrek dhe nuk ka një qasje te publiku, ndërsa mazhorancën e cilësoi arrogante.

“Opozita nuk e di sesa vite ka qe ha byrek dhe nuk ka më qasje te publiku. Duhet të ngrejë kokën nga tasi i kosi dhe byrekut që të mund të ketë një qasja tjetër sepse janë qesharakë. Janë kthyer në një meme dhe nuk mund të ndodhë të ketë një ndryshim.

Dhuna brenda politikës është ajo që po përjetojmë. Kemi një mazhorancë arrogante sepse kemi një opozitë për të qeshur. Nuk mund të funksionojë një shtet me një parti dhe me një popull që frikësohet se çfarë e pret. Frika se mbetet pa punë, frika nga presioni. Kjo është dhuna që përjeton çdo individ. Dhunë është kjo, dhunë psikologjike.

Pastaj grushtet dhe sherret, ka pasur dhe më përpara në fushata. Ka pasur një tension që ushqehej vazhdimisht dhe kështu i iket diskursit që e afron me publikun.

Të rinjtë e shohin çfarë ndodh dhe i rrinë larg. Nuk duan t’i afrohen politikës sepse politikanët tregojnë se e marrin mandatin me dhunë. Akoma më shumë po largojnë njerëz që kanë vizion. Nga ana tjetër është dhe mënyra sesi ata e kanë marrë atë mandate. Disa njerëz që nuk kanë asnjë kontribut, kanë depërtuar në parlament. Persona të krimit kanë qenë aty dhe kjo është mënyra sesi e tregojnë në Kuvend.

Dhuna është shumë më e gjerë. Është dhe ambienti ku bën pjesë. Në Shqipëri është shumë e dhunshme, jo vetëm nga presionet për të heshtur e për të ulur kokën, por edhe provokimi dhe dëshira për të të kapur gafil. Pikërisht kjo kategori e njerëzve është më e rrezikshme. Kam kaq vite që punoj në këtë lloj terreni”, tha Ruçi .

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re