Një muaj e gjysmë pasi 45 deputetë të opozitës çuan në Gjykatë Kushtetuese rregulloren e re të Kuvendit, ky institucion ka pranuar kërkesën dhe ka kaluar çështjen për shqyrtim.

Me anë të një njoftimi, Gjykata Kushtetuese sqaron se sot, në datën 07.02.2024, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve.

Ndërsa në lidhje me kërkesën për pezullim, me shumicën e votave, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi shqyrtimin e saj në seancë plenare.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese: 

Në datën 19 dhjetor 2023, një grup prej 45 deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për shfuqizimin e vendimit nr. 126/2023, datë 14.12.2023 të Kuvendit “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar””, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si edhe pezullimin e zbatimit të tij deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga Gjykata.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, me vendimin e datës 25.01.2024, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve, e cila, sot, në datën 07.02.2024, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve.

Në lidhje me kërkesën për pezullim, me shumicën e votave, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi shqyrtimin e saj në seancë plenare.

Për shkak të natyrës së kësaj çështjeje dhe pretendimeve e kërkimeve të parashtruara, shqyrtimi i saj do të bëhet nga Gjykata me përparësi, duke reduktuar, për këtë arsye, edhe afatet e palëve për paraqitjen e parashtrimeve dhe të qëndrimeve të tyre.

Në padinë e depozituar më datën 19 dhjetor nga 45 deputetë të opozitës thuhet se kjo rregullore e re, përmes së cilës deputetët rrezikojnë deri në 60 ditë përjashtim, shkel të drejtat e tyre, si edhe lë qytetarët pa përfaqësues në parlament. Madje sipas opozitës, ndryshimet janë bërë nga mazhoranca pa konsultim dhe i japin PS-së mundësi për ndëshkime arbitrare.

Padia e depozituar me 19 dhjetor

Në padinë e depozituar më datën 19 dhjetor nga 45 deputetë të opozitës thuhet se kjo rregullore e re, përmes së cilës deputetët rrezikojnë deri në 60 ditë përjashtim, shkel të drejtat e tyre, si edhe lë qytetarët pa përfaqësues në parlament. Madje sipas opozitës, ndryshimet janë bërë nga mazhoranca pa konsultim dhe i japin PS-së mundësi për ndëshkime arbitrare.

“Rregullorja e Kuvendit është akti që garanton bashkëjetesën demokratike të palëve politike në Parlament. Miratimi i saj, ashtu si rishikimi a ndryshimi, kërkojnë detyrimisht konsensus dhe gjithëpërfshirje. Ndryshimet e fundit u propozuan nga mazhoranca, pa asnjë konsultim apo transparencë, u shqyrtuan dhe miratuan me procedurë të përshpejtuar si shenjë e qartë arrogance dhe arbitrariteti, duke synuar ta shndërrojnë Rregulloren në një mjet “disiplinimi” për deputetët e opozitës që guxojnë të protestojnë kundër akteve të mazhorancës. Në kushtet kur këto ndryshime prekin në mënyrë thelbësore të drejtat e deputetëve, vecanërisht deputetëve të opozitës, por gjithashtu cenon përfaqësimin e qytetarëve dhe mirëfunksionimin demokratik të Kuvendit, 45 deputetët kanë kërkuar nga Gjykata pezullimin e këtyre ndryshimeve deri në dhënien e një vendimi përfundimtar”, thuhet në deklaratën e opozitës.

Rregullorja e re u fut në fuqi një ditë më parë, 18 dhjetor, dhe ndryshimet u bënë pas kaosit që deputetët e Berishës dhe Bardhit po krijojnë prej javësh në Kuvend, me ndezje tymuesesh duke sabotuar punën.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re