Partitë opozitare në Kosovë shprehen të gatshme të përfshihen në fazën finale të dialogut me Serbinë me kushtin që presidenti Hashim Thaçi të mos jetë në krye të procesit por kuvendi të marrë rolin kyç.

Avdullah Hoti, shef i grupit parlamentar të LDK-së, thotë se është e rëndësishme të ndërtohet konsensusi për qasjen që duhet të ndjekë shteti në dialog me Serbinë.

“Se kush duhet ta udhëheqë atë, kjo është e vendosur sipas Kushtetutës. Dialogu për tema të tilla udhëhiqet nga institucionet që kanë përgjegjësinë kushtetuese dhe përgjegjësi kushtetuese në këtë vend kanë vetëm kuvendi dhe qeveria, sepse burojnë nga votat e qytetarëve“, tha Hoti për Radion “Evropa e Lirë”.

Deputeti Xhelal Sveçla nga Vetëvendosje tha se presidentit Thaçi nuk i takon të udhëheqë këtë proces.

“Për Lëvizjen Vetëvendosje tanimë është e qartë se kush nuk duhet ta udhëheqë dialogun pasi që ne tani kemi një përvojë të keqe me këta persona në aspektin e negociatave me Serbinë. Hashim Thaçi është personi më joadekuat për ta udhëhequr këtë proces”, tha Sveçla.

Sveçla, thotë se VV do të ishte e gatshme të hynte në këto negociata nëse do të plotësoheshin kushtet.

“Ne do të futemi në një proces po qe se fillojmë me dialog të brendshëm, t’i përcaktojmë qartazk kornizat e dialogut me Serbinë. Duke qenë se jemi Republikë Parlamentare, parlamenti është organi më i lartë, i cili duhet të vendosë për këtë çështje. Në këto raste ne do të ishim të gatshëm të bëhemi pjesë e këtyre bisedimeve, gjithmonë duke pasur parasysh interesin parësor të vendit”, thotë Sveçla.

Kurse deputeti Dukagjin Gorani nga Partia Socialdemokrate poashtu shprehet se dialogu me Serbinë duhet t’i nënshtrohet kuvendit.

“Nuk mendoj se imponimi i presidentit aktual si akteri i vetëm në këtë proces do të ketë sukses. Ndryshimet e domosdoshme duhet të ndodhin përmes kuvendit, i cili duhet ta prodhojë konsensusin racional”, tha Gorani.

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian pritet të vazhdojë në muajin qershor, ndonëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht data e takimit mes presidentit Thaçi dhe homologut të tij serb Vuçiç.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re