Opozita i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe kryetarit të KQZ, Ilirian Celibashi ku kërkohet marrja e masave për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike deri me 30 prill 2021.

Në letrën e firmosur në emër të opozitës nga Gazment Bardhi ngrihet shqetësimi për konstatimin e një numri të madh të shtetasve shqiptarë të cilëve u ka përfunduar afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike dhe që janë në pamundësi, përfshirë atë ekonomike për ta rinovuar atë.

“Sipas informacioneve zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile janë në total 1,062,000 shtetas të cilët rrezikojnë të mos votojnë në datën 25 Prill 2021 për shkak së dokumenti i tyre i identifikimit ka skaduar apo skadon deri ditën e zgjedhjeve”, thuhet në letër.

Sipas letrës së opozitës, pamundësia ekonomike dhe koha e shkurtër për të mundësuar paisjen me karta identiteti qytetarët shqiptarë që u ka skaduar mjeti i identifikimit që mundëson votimin në zgjedhjet e 25 prillit kërkohet marrja e masave të njëjta me ato të ndërmarra me ligjin nr. 11/2019, datë 05.03.2019 “Për një shtesë në Ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë” të ndryshuar”, ku për shkak të zgjedhjeve lokale u vendos shtyrja e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit.

Për shkak të natyrës urgjente ndërhyrja mund të bëhet me Akt Normativ, ku të parashikohet një dispozitë tranzitore në ligjin nr. 8952/2002, me përmbajtje si vijon: “Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimeve elektronike të shtetasve shqiptarë, të cilat janë lëshuar nga data 9.2.2009 dhe që përfundojnë brenda datës 25 Prill 2021, zgjatet deri në datën 30 Prill 2021.”.

“Kjo masë nuk duhet të ndalë nxitjen tonë të përbashkët për shtetasit shqiptarë që të bëjnë rinovimin e dokumenteve të tyre të identifikimit. Mirëpo për efekt të garantimit të të drejtës kushtetuese për të zgjedhur, shtyrja e afatit të vlefshmërisë është një masë proporcionale dhe e domosdoshme, që duhet të ndërmerret pa vonesa të metejshme në funksion të garantimit të një procesi zgjedhor të aksesueshëm nga çdo qytetar me të drejtë vote”, – thuhet në letrën drejtuar ministrit të Brendshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re