VALENTINA MADANI/ Ish-kryeministri Sali Berisha u bëri thirrje shqiptarëve që të bashkohen për një qeveri teknike, si kushtin e të gjitha kushteve për të votuar të lirë.

Z. Berisha apeloi për mosbindje civile në të gjitha qytetet e Shqipërisë, pasi siç u shpreh ai, nuk mund të qëndrojnë soditës përballë kësaj situate. Lideri demokrat i bëri thirrje Edi Ramës, që të japë dorëheqjen sa nuk është vonë. Sipas Berishës, pa qeveri teknike nuk ka rotacion pushteti në Shqipëri.

“U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen për një qeveri teknike, si kushti i të gjitha kushteve që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë, të votojnë me dinjitet. T’i zgjedhin ata drejtuesit e tyre, si kushti i të gjitha kushteve për të vendosur barazinë para ligjit, për t’u dhënë shqiptarëve sistemin e drejtësisë që meritojnë. A mund të rrimë ne soditës para kësaj situate?! Ndaj duhet të ngrihemi në betejë pa kthim, në mosbindje civile në çdo qytet, në çdo skaj të Shqipërisë për qeveri teknike. Për betejë, rotacionin e pushtetit”, deklaroi Berisha.

Ai denoncoi se çdo vit, sipas KLSH-së, vidhen 130 për qind e fondit të pagave të vendit.

“Vidhen mbi 90 miliardë lekë. Kurrë ndonjëherë Shqipëria nuk ka pasur një qeveri të tillë. Ju e morët vesh se në muajin janar, 31 ditët e janarit, asnjë qindarkë nuk u investua nga buxheti i shtetit në Shqipëri. Pra në janar, paratë tuaja, taksat tuaja nuk u përdorën, nuk u investuan për asnjë shërbim tuajin. Për asnjë rrugë, për asnjë shkollë, për asnjë vend pune, për asgjë. Kjo ndodh kur nuk ke qeveri, ose kur ke qeveri që vjedh edhe duke fjetur. Kjo është qeveria. Nga mëngjesi gjer në darkë shpërndajnë mashtrime nga më ordineret, të turpshme, fshehin krime. Shqipëria sot është vendi më i pasigurt në Europë dhe në botë”, deklaroi lideri demokrat.

Berisha bëri një seri akuzash ndaj qeverise, që sipas tij, po vjedh po mashtron shqiptarët.

“Çfarë marrin qytetarët? Mashtrimet e Taulant Ballës dhe Edi Ramës për të cilët s’po ndodh asgjë. Ndaj miqtë e mi, sot më shumë se kurrë jeni të ftuar të ngrihemi në betejë pa kthim, me mosbindje civile për qeverinë teknike. Pa qeveri teknike, zgjedhje të lira nuk ka. Pa qeveri teknike, rotacion pushteti në Shqipëri nuk ka. Pa qeveri teknike, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, Shqipëria mbetet një vend i ndëshkuar, një vend që braktiset nga shqiptarët.

Ndaj dhe i ftoj shqiptarët, çdo shqiptar të frymëzohet nga ju, të ndjekin shembullin tuaj, të vazhdojmë betejën tonë, të mbjellim shpresë dhe besim në të katërta anët e vendit! Asgjë nuk na ndan ne nga fitorja jonë. Asgjë nuk na ndan ne nga realizimi i qëllimeve tona. Ne do fitojmë! Ndaj edhe njëherë, mirënjohjen më të pakufishme! Edhe njëherë i them Edi Ramës: Jep dorëheqjen sa nuk është vonë! Largohu se forcë në botë nuk mund t’i pengojë shqiptarët pa rikthyer votën e lirë, pa shpëtuar Shqipërinë nga narkoshteti, kthetrat e këtyre hajdutëve, që s’i ka pasur kurrë në histori Shqipëria as Europa”, shprehet Berisha.

Lideri demokrat nga dritarja e banesës së tij dje komentoi shkuarjen e Serbisë sërish në zgjedhje, duke e sjellë si shembull, që sipas tij, duhet të kishte ndodhur edhe në Shqipëri. Berisha tha se në Beograd anulohen zgjedhjet, kurse në Shkodër, në Durrës, Elbasan, Tiranë vazhdojnë qeverisin bashkiakët që fituan mbi krimin.

“Në Beograd anulohen zgjedhjet, kurse në Shkodër, në Durrës, Elbasan, Tiranë vazhdojnë qeverisin bashkiakët që fituan mbi krimin. Absolutisht e kam deklaruar dhe e deklaroj 100 herë se Aleksandër Vuçiç meriton të shkojë në Hagë si doktrinar gjenocidi, se ai përfaqëson një Putin të vogël, por vota e serbëve nuk është më e rëndësishme se vota e shqiptarëve. Pse e solla këtë shembull? E solla sepse po nuk u ngritëm vetë, po nuk morëm fatin tonë në duart tona, nuk kemi pse të presim nga askush. Dy muaj më parë, zgjedhje u zhvilluan në Beograd, Serbi. E vërteta është se Vuçiçi dhe Rama nuk pranojnë kurrë votën e lirë. Por megjithatë, dua t’ju them këtu se në rezultatin e përgjithshëm diferenca mes opozitës dhe qeverisë serbe ishte 71%, 19 për qind kishte opozita serbe. Në Shqipëri 40 për qind mori opozita pa financime, pa komisionerë, pa logo”, tha Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re