Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në godinën e Parlamentit ku pritet të votohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ndërsa opozita zhvillon protestë dhe shumë deputetë të përjashtuar përplasen me Gardën për të hyrë në sallën e Kuvendit, Rama shfaqet duke hyrë i qetë, me duar në xhepa.

Kreu i qeverisë ka hyrë nga dera e Akademisë së Shkencave, andej nga hyn zakonisht kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.

Kuvendi vendos për fatin e Berishës

Kuvendi do të votojë për heqjen e imunitetit të Sali Berishës, që është në pikën e parë të rendit të ditës.

Këshilli i Mandateve ka dorëzuar në Kuvend 2 raporte lidhur me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Konkretisht, janë dorëzuar në Kuvend “Raporti rekomandues i deputetëve të shumicës parlamentare, anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe Raporti rekomandues i deputetit Enkelejd Alibeaj, anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për arrestim/heqje lirie për Berishën nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit.

Këto 2 raporte do të prezantohen në seancën plenare të ditën së sotme.

Kujtojmë se pak ditë më parë, Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit ka votuar pro dhënies së autorizimit të SPAK për heqjen e lirisë së Sali Berishës në lidhje me çështjen “Partizani”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re