Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, opozita do të jetë më e bashkuar se kurrë. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka deklaruar se është bërë një marrëveshje më 23 prill ku thuhet se do të bëhen bashkë partitë për të marrë pjesë në zgjedhje si front i bashkuar opozitar.

“Ne si opozitë e bashkuar kemi qëllimin që të krijojmë besimin tek qytetarët shqiptarë që do të shkojmë drejt një procesi zgjedhor, i cili do të krijojë mundësinë e krijimit të një sistemi të ri demokratik, për të cilin shqiptarët kanë nevojë.

Të gjithë shqiptarët duhet ta dinë se ka një marrëveshje të nënshkruar më 23 prill nga të gjitha partitë e opozitës së bashkuar që kanë marrë angazhimin për të marrë pjesë në zgjedhje si front i bashkuar opozitar”, tha Kryemadhi në emisionin “Opinion”.

Kryemadhi bëri të ditur se në këto zgjedhje, LSI do të shkojë me një koalicion të madh dhe do ti bëjë thirrje bashkive të tjera që ti bashkohen kësaj opozite. Kur moderatori i tha se Rama deklaroi se nuk i ka qejf koalicionet, Kryemadhi u përgjigj:

“Ne nuk ndajmë të gjithë të njëjtat dëshira sepse edhe për standardin e jetës dhe për stilin e jetës që kemi zgjedhur, nuk i kemi të njëjta. Kështu që, ne nuk mund të kemi gjëra të përbashkëta. Nëse z. Rama nuk i pëlqen koalicioni, të tjerët mund t’i pëlqejnë koalicionet. Edhe z. Rama nuk është se nuk i pëlqen koalicioni, por nuk i shkon njeri për të bërë koalicion dhe ndaj e thotë që nuk i pëlqen koalicionet.”

Kryetarja e LSI sqaroi se partive të tjera që duhen ti bashkohen koalicionit me LSI, do ti hapen “me kritere shumë të thjeshta që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor për t’u ofruar shqiptarëve një parlament legjitim, pra t’u ofrojmë shqiptarëve nëpërmjet referendumeve vendosjen e sistemit që ata duan.”(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re