Për më shumë se 2 orë, opozita protestoi në bulevardin dëshmorët e kombit kundër qeverisë Rama. Tubimi ishte paqësor dhe u zhvillua jashtë perimetrit të sigurisë të vendosur nga policia, por incidenti me kryetarin e Partisë Demokratike Berisha  jehoi në të gjitha fjalimet figurave kryesore të opozitës.

 

 

Berisha dhe aleati i tij Ilir Meta akuzuan kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për goditjen e kryetarit të PD.

 

SALI BERISHA

KREU I PD

 

“Ka vetëm një arkitekt, është Edi Rama. Atë lirojeni dhe mos shpërndani dokrra dhe përralla, se autori i vërtetë është i ulur në samit si kryekriminel i Ballkanit dhe Europës.”

 

 

Mesazhi i kryetarit të Partisë Demokratike sot nuk ishte vetëm për qytetarët e mbledhur në bulevardin dëshmorët e kombit, por edhe për liderët e Bashkimit Europian që ndodhen në Tiranë.

“Prania e qeveritarëve më të lartë të BE është mbështetja më e madhe që vlerat evropiane në Shqipëri kanë marrë në vendin tonë.”

 

 

Sipas Berishës, sot Shqipëria drejtohet nga një kryeministër i korruptuar, që ka marrë të gjitha pushtetet e nuk lejon votën e lirë.

“Të nderuar gazetarë të medieve të huaja, korrupsioni shqiptar është sa kombëtar, aq edhe ndërkomëbtar. Edi Rama dhe qeveria e tij përdor të gjitha format e korrupsionit, politik, monetar, erotik, për të blerë mbështetje kundër kundërshtarëve të tij. Ai është kryeministri i vetëm që e përdor korrupsion për të lobuar kundër atyre që e denoncojnë korrupsionin e tij.”

Për të dytën herë Berisha paralajmëroi faktorin ndërkombëtar se në Shqipëri nuk do të ketë stabilitet nëse preket vota e lirë.

 

 

“Nga ky shesh, të zotohemi ne se pa votën e lirë, nuk ka dhe nuk do ketë stabilitet në Shqipëri. Ju ftoj të brohorasim: Poshtë stabilokracia dhe vota e vjedhur, rroftë vota e lirë.”

 

 

 

Në fund të tubimit, protestuesit shoqëruan Sali Berishën në selinë e Partisë Demokratike dhe kryetari i Partisë Demokratike premtoi se pavarësisht incidentit asgjë nuk e ndal betejën e opozitës kundër qeverisë Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re