Përplasjet e politikës në Tiranë u transferuan dhe në Bruksel. Opozita në komisionin e Përbashkët Ndërparlamentar Shqipëri-BE, kryesuar nga Genc Pollo në cilësinë e n/kyetarit, kërkoi që komisioni i përbashkët të mos drejtohet nga Taulant Balla, koleg i tij socialist nën akuzë.

“Është e padenjë që Balla të jetë bashkëkryetar. Është e padenjë të kemi një padrino të drogës në presidium. Turp për mazhorancën në Tiranë që nuk e ndërroi! Turp për ne të gjithë, po e toleruam edhe në Bruksel. Me Ballën në majë të pirgut s’ka kuptim deklarata e sotme kundër drogës e pro negociatave. Eurodeputetët janë të sikletosur nga Balla. Ç’të bëjmë, zemë hundën me dorë e vazhdojmë punën. Balla është pasardhës i denjë i Tahirit në këtë komision; si Tahiri të largohet! Dhe do të largohet. Kjo është e fundit mbledhje e Parlamentit ku Balla është bashkëdrejtues”, tha Pollo, duke ekstremizuar kështu luftën politike, edhe jashtë kufijve.

Por nuk është pranuar kjo lloj sjellje nga kryesuesja e seancës, Monica Macovei.

“Ata erdhën me këtë delegacion në këtë takim në Bruksel me paratë e qytetarëve shqiptarë vetëm për të ngrënë një drekë të shijshme dhe ikën”, tha ajo, pasi opozita në delegacion e braktisi takimin.

I ashpër u tregua raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein.

“Unë nuk jam polic, as gjykatës. Mund të besoj se Balla është kriminel ose jo, por ajo që kam nevojë, janë prova. Jo vetëm ne por edhe prokuroria ka nevojë për prova. Bëni detyrat tuaja të shtëpisë, shkoni në prokurori”, tha diplomati gjerman.

Sakaq, Balla është mbrojtur duke thënë se “nëse një të miliontët e asaj që thotë opozita për mua të ishte e vërtet, jam gati të shkoj tek gjykata në Strasburg.

Ky qëndrim ndaj kryetarit të delagacionit Balla, nga opozita ishte bërë me dije ditë më parë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re