VALENTINA MADANI/ Lideri demokrat Sali Berisha e quan antikushtetues vendimin e Kuvendit për heqjen e imunitetit dhe i bën thirrje anëtarësisë se PD-së të ngrihet në protesta.

Parlamenti votoi dje vetëm me votat e shumicës pro dy raporteve të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, një i relatores socialiste Klotilda Bushka dhe i demokratit Enkeled Alibeaj, për të autorizuar SPAK-un të procedojë me arrestimin e Sali Berishës. Edhe pse e kishte të drejtën të fliste përpara Parlamentit për të vërtetën e tij, Berisha e refuzoi këtë të drejtë. Por një qëndrim të shkurtër e mbajti në përfundimin e seancën, e cila zgjati sërish vetëm 8 minuta.

“Parlamenti sot vazhdoi veprën që dështoi me datën 9 shtator, dy vite më parë. Ju garantoj se sot do jetë më i dështuar se kurrë, se ky vendim jo që nuk mund të realizojë qëllimet, shkatërrimin e opozitës”, deklaroi lideri demokrat.

Ndërkohë që mbështetësve të tij që ishin mbledhur jashtë Parlamentit për të protestuar, Berisha ju kërkoi të mobilizohen së bashku me strukturat e partisë për të vijuar betejën për rrëzimin e qeverisë.

“Është koha të bëhemi zëdhënës të atyre që duan të ngrihen o sot, o kurrë për veprim”, tha ai.

Ndërsa përpara selisë blu i garantoi mbështetësit se heqja e imunitetit nuk e zbeh aspak forcën e tij dhe të Partisë Demokratike.

“Forcë në botë që të mposhtë idealet e demokracisë nuk ka dhe nuk mund të ketë”, u shpreh ai. Seanca e kësaj të enjte prodhoi të njëjtat pamje dhe situatë kaotike si ato të 2 muajve të fundit.

Gjatë seancës nuk munguan serish flakadanët shumëngjyrësh. E ndërsa u hap me miratimin e autorizimit për SPAK-un, ato që mbyllen agjendën e kësaj seance ishin ndryshimet në ligjin për Komisionet Hetimore të propozuara nga socialistët e të kundërshtuara me forcë nga opozita që i sheh ato si barrikadën e të drejtës së tyre kushtetuese për hetim parlamentar.

Kjo ishte seanca e fundit për këtë vit, sesioni i ardhshëm duhet javën e tretë të Janarit. Shpresat janë të pakta që kjo kohë do t’ju shërbejë palëve për të negociuar dhe për të rikthyer jetën normale parlamentare.

VENDIMET

Ditën e shtunë në orën 12:00 do të mblidhet Këshilli Kombëtar i Rithemelimit. Ky vendim u mor dje në mbledhjen e Kryesisë, të thirrur nga Sali Berisha. Burime brenda mbledhjes bëjnë me dije se sa i përket riorganizimit të partisë, u vendos krijimi i 4 rajoneve, të cilët do të drejtohet nga 4 koordinatorë.

Ndërkohë do të ftohen në organizim edhe Gazment Bardhi dhe deputetët që e mbështesin atë. Berisha në fjalën e tij para anëtarëve të Kryesisë tha se “Na duhet një ripërshtatje e shpejtë. Duhet ta konceptojmë qëndresën tonë si një betejë të atyre që guxojnë”.

Berisha teksa iu referua vendimit të sotëm të Kuvendit, që i hoqi mandatin tha se reagimi i Edi Ramës dëshmon tmerrin që ai ka nga opozita e vërtetë.

“Reagimi i Edi Ramës dëshmon tmerrin që ai ka nga opozitë e vërtetë. Edi Rama është në llojin e tij një hajdut dhe diktator. Në tërësi, është vështirë të ndash diktatorin nga hajduti dhe hajdutin nga diktatori, sepse diktatorit i duken të gjitha pronë e tij dhe ndihet i lirë të vjedhë, të shpërdorojë, të abuzojë mbi pasuritë e shqiptarëve, por problemi më themelor është sepse ai ka arritur t’u konfiskojë votën e lirë shqiptarëve dhe pikërisht me këtë mekanizëm ka vrarë pasivisht shpresën te qytetarët shqiptarë”, deklaroi lideri i PD-së.

Berisha thotë se po bëhen përpjekje për ta lënë Shqipërinë pa opozitë. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, Berisha ka deklaruar se nuk ka ndodhur kurrë që të kërkohet arrestimi i një deputeti pa paraqitur asnjë provë, fakt apo dokument.

“Askush të mos mendojë se Edi Rama dhe regjimi i tij është i qetë. Përkundrazi, u them unë, ai jeton në terror dhe frikë të madhe. Frika dhe vetëm frika bënë që ai të urdhërojë një zinxhir aktesh, veprimesh, të cilat as Lukashenko i Bjellorusisë nuk do mund t’i realizonte. Gjatë këtyre dy-tri javëve u zhvillua një proces unik, i veçantë në Shqipëri, në të cilin Edi Rama urdhëroi institucionet e drejtësisë dhe parlamentin të kalojnë nga një shkelje e rëndë në një shkelje më të rëndë të Kushtetutës.

Për të realizuar aktin e sotëm, ai e realizonte pa asnjë lloj të themi, pengese të pakapërcyeshme sepse kudo kontrollin dhe shumicën. Por përsëri atij nuk i duhej rruga legale, sepse rruga legale mund t’i mbetej e këputur në mes. Për garanci dhe siguri, atij i duhej që në një rast të parë dhe kurrë nuk ka ndodhur në 32 vite, që një deputeti t’i hiqet e drejta e lëvizjes jashtë shteti me një vendim gjykate, duke dhunuar nenin respektiv të Kushtetutës.

Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e parlamentit që kryetari i opozitës të mos pyetet ndonjëherë dhe të sajohet një piramidë mashtrimi dhe nuk pyetet për shkakun e vetëm sepse jo në një gjysmë ore, por në 20 minuta, rrafshon me dritën e të vërtetës atë piramidë. Nuk ka ndodhur kurrë që të kërkohet heqja e imunitetit dhe arrestimi i një deputeti pa paraqitur në komision të parlamentit, në Komisionin e Mandateve, as edhe një provë, fakt apo dokument të vetëm. Thjesht vendimin e gjykatës, të SKAP-it dhe me radhë”,  tha Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re