VALENTINA MADANI/ Opozita sot do të protestojë në orën 17:30 kundër qeverisë “Rama”. Data 20 shkurt, e cila përkon edhe me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, është një pikë kthese për pluralizmin në vend dhe sipas organizatorëve të protestës, ndaj është caktuar kjo datë.

Degët e partisë nëpër rrethe kanë organizuar pikat e tyre të takimit. Një pjesë e qytetarëve mbërritën që dje në Tiranë për të mos pasur probleme. Ndonëse prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar vuan dënimin “arrest shtëpie”, Sali Berisha nuk do mungojë në protestën e sotme, të thirrur nga demokratët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në orën 17:30 të pasdites.

Edhe pse jo fizikisht, lideri i demokratëve mesazhin e tij për protestuesit do ta japë përmes teknologjisë, duke mbajtur një fjalim nga dritarja e banesës së tij, që do të transmetohet në një ekran, i cili do të vendoset përpara selisë së Kryeministrisë.

“Sali Berisha e ka thirrur këtë protestë dhe sigurisht ai do ta drejtojë këtë protestë”, tha Flamur Noka. Pavarësisht se nga drejtuesit e lartë të selisë blu është folur për një protestë paqësore, në të cilën janë ftuar qytetarët që të vijnë me fëmijët, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, thotë se askush nuk mund të dirigjojë revoltën e qytetarëve.

“Protesta është protestë, nuk jemi as ne, askush që mund të themi se si do të dirigjohet”, u shpreh Noka. Demokratët synojnë një pjesëmarrje të lartë numerike në protestën kombëtare, që do jetë e para pa Sali Berishën fizikisht dhe me një grup parlamentar dhe opozitë të unifikuar në qëndrim.

Të vetmit që nuk do t’i bashkohen tubimit kundër kryeministrit Rama janë Lulzim Basha dhe deputetët që e mbështesin atë. Ndërkohë më shumë se 1 mijë forca policie do të angazhohen pasditen e sotme për mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga opozita. Pjesë e planit të masave do të jenë forcat e rendit, të sigurisë kombëtare dhe të repartit special RENEA.

Në gatishmëri dhe të planëzuar do të jenë edhe efektivë të Gardës së Republikës. Ata do të pozicionohen në brendësi të institucioneve të rëndësisë së veçantë, ndërsa do monitorojnë dhe nga tarracat e godinave, aktivitetin e protestës. Në dispozicion të policisë do të jenë edhe autobotet me ujë, në rast se protesta do të përshkallëzohet. Aktiviteti i protestës do të monitorohet edhe me kamerat e sigurisë së instaluara përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Kamerat me rezolucion të lartë, janë montuar gjatë protestave të shkuara të opozitës. Pjesë e planit të masave është bërë edhe Policia Rrugore, që do të bllokojë disa segmente rrugore. Rrugët që do të bllokohen para dhe gjatë protestës janë në bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali” si dhe rrugë tjera lidhëse me Kryeministrinë apo institucione të tjera, ku pritet të protestohet.

Një ditë para protestës së opozitës të thirrur pasditen e së martës, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është veshur me kamera të cilësisë së lartë. Mësohet se kamerat janë vendosur në çdo kënd të bulevardit në sheshin para godinës qeveritare, për të monitoruar dhe fiksuar më qartë çdo lëvizje të mundshme sot në shesh nga protestuesit.

Drejtuesit demokratë prej ditësh nisën turin e takimeve derë më derë për të ftuar shqiptarët në protestën e sotme kundër qeverisë. Synimi i opozitës është që sot të mbushin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” si mesazh të qartë kundër keqqeverisjes socialiste.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re