Lideri i opozitës Sali Berisha dhe demokratët të cilët prej dy vitesh janë rreshtuar në krahun e tij protestuan sot para gjykatës së lartë.

Protesta nisi në orën 09.00, në të njëjtën kohë që gjyqtarët u mblodhën për të vendosur nëse logoja e Partisë Demokratike i përket apo jo Sali Berishës.

Vetë lideri historik i demokratëve ka deklaruar publikisht se nuk beson tek vendimi i gjykatës, duke u shpjeguar qytetarëve se sot për shkak të kontrollit të kryeministrit mbi sistemin e drejtësisë, vendi ndodhet në diktaturë.

“Sot ne duhet të kërkojmë vëmendjen e çdo shqiptari se kur gjykatat nuk garantojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, por përdoren si armë kundër opozitës, çfarë ndodh? Kjo është diktaturë. Kur partisë më të madhe i konfiskohet haptas logoja dhe vula, çfarë ndodh? Kjo është diktaturë.”

Berisha ka shpjeguar se vota e demokratëve dhe qytetarëve në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit të vitit të kaluar dhe vota e shqiptarëve në 14 maj e ka treguar se kush është Partia Demokratike

“A ka njeri të lirë sot që të mos pranojë se Partia Demokratike, vula, sigla, selia e saj u përkasin demokratëve dhe vetëm demokratëve? A ka njeri të lirë sot që të besojë, se gjykata dhe jo demokratët duhet të vendosin se e kujt është Partia Demokratike, vula, logoja e saj, se kush kryetari i Partisë Demokratike? “

Sipas Berishës kërkesat e SPAK-ut për izolimin e tij janë një tjetër sulm ndaj opozitës

“Kur kreu i opozitës pa asnjë akuzë burgoset dhe i ndalohen takimet dhe komunikimet, çfarë ndodh? Kjo është diktaturë.”

Në përfundim të protestës, Sali Berisha dhe demokratët kaluan para selisë së Partisë Socialiste ku qëndruan për disa minuta në shenjë proteste.

Në fund nga selia e Partisë Demokratike, lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi se pavarësisht vështirësive, opozita do ta fitojë betejën përballë qeverisë Rama

“Çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë, unë do bëj gjithçka që së bashku me ju, të ecim të sigurt drejt fitores.”

Në 11 dhjetorin e vitit 2021 Sali Berisha mblodhi kuvendin kombëtar të Partisë Demokratike i cili shkarkoi Lulzim Bashën dhe shënoi kthimin e Berishës në krye të PD. Në marsin e vitit 2022 gjykata e shkalles së parë njohu si të ligjshëm këtë kuvend dhe rrjedhimisht Sali Berishën si lider të PD. Në marsin e këtij viti gjykata e apelit vendosi të kthejë në shkallën e parë çështjen e kuvendit të PD. Sot gjykata e lartë pritet të vendosë nëse logoja e Partisë Demokratike i takon Sali Berishës apo kjo çështje duhet të nisë shqyrtimin nga fillimi në gjykatën e shkallës së parë.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re