Halil Jakimi, deputet i opozitës parlamentare ishte i ftuar në studion e lajmeve të Fax News nga ku deklaroi votën e tij kundër marrëveshjes për reformën zgjedhore, dhe bëri apel edhe ndaj kolegëve të tij që të mos e votojnë.

Ai shtoi se ka disa opsione për reagimin e deputetëve të opozitës ditën kur do të votohet në Kuvend për ndryshimet në Kodin zgjedhor, ndërsa përmendi se mund të mos merret pjesë fare në votim ose të demostrohet në sallë pakënaqësia e tyre.

Gjithashtu, Jakimi tha se deputetët që janë për ndryshimin e sistemit me lista të hapura, nuk është një çështje që ka marrë garanci nga trupa diplomatike në vend por shtoi se nuk do ketë kthim pas deri në pranimin e kësaj kërkese të firmosur më shumë se një vit më parë nga 39 deputetë të opozitës parlamentare.

“Mendoj se ngërçi fillestar ishte lëshimi i komisionerëve zgjedhor dhe ndryshimi i administratës. Së fundmi nxorën një tender 15 milionë euro për identifikimin politik. Është një pazar i pastër në kurriz të qytetarëve. Problemin  e shoh tek niveli bazë, vota tek kutia. Kemi 5470 qendra votimi, 90 KAZAZ dhe KQZ. Do doja që në qendrat e votimit të shkonte një mësues nga Lushnja, një inxhinier ndoshta nga Saranda dhe të jenë pjesë e një komisioni të një fshati. Ai nuk do të jetë i ndrojtur apo i shantazhuar për shkak se fitoi një ndihmë ekonomike 40 mijë lekë. Unë dhe grupi parlamentar do votojmë kundër kësaj marrëveshje sepse këta nuk do të plotësojnë listat e hapura, që sjell një demokraci përfaqësuese në Kuvend, dhe i heq peshën kryetarit të partisë.

Ne nga trupa diplomatike nuk kemi marrë ndonjë garanci, ata nuk janë shprehur akoma, as Soreca dhe as Borchardt. Ne nuk do të heqim dorë për votën e emigrantëve dhe listat e hapura. Nuk përjashtohet një skenar që të braktisim seancën, natyrisht vota do të jetë kundër, mund të marrim ndonjë akt tjetër demostrativ në shenjë kundërshtimi, ajo reformë është e turpshme dhe nuk do jemi pjesë e asaj farse, bëj thirrje edhe kolegëve të tjerë të opozitës të mos marrin pjesë në atë seancë. Do të ishte e turpshme dhe e them me keqardhje nëse deputetët e opozitës e votojnë atë marrëveshje, do ishte nqë ndërgjegjen e tyre të mos e votonin., Duhet të dimë se disa deputetë janë nën presion, nga opozita jashtëparlamentare, ata janë shprehur edhe në Kuvend se janë pjesë dhe mbështetëse të opozitës jashtë parlamentare.”, tha Jakimi.

(F.GJ/FAXWEB.AL)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re