
Java e 31-të në Superiore nis të shtunën në Vlorë me një përballje direkte për mbijetesë. Flamurtari do të presë Vorën, në orën 19:00, duke synuar të marrë pikët e plota për të ruajtur shanset për mbijetesë. Nga ana tjetër, Vora do të kërkojë të marrë rezultat pozitiv në transfertë.
Të dielën, Tirana do të përballet me Egnatian në “Selman Stërmasi”, në orën 16:00. Bardheblutë do të kërkojnë rikthimin te fitorja pas barazimit të javës së kaluar, ndërsa Egnatia do të synojë të marrë pikët e plota.
Mbrëmjen e së dielës, Vllaznia do të luajë ndaj Teutës në “Loro Boriçi”, në orën 19:00.
Të hënën, Bylis do të presë Dinamon në stadiumin “Adush Muçaj”, në orën 16:00. Dinamo kërkon fitoren për të mbajtur gjallë shanset për vendin e katërt dhe pjesëmarrjen në Final Four, ndërsa Bylis synon të ruajë maksimumin për objektivin mbijetesë.
Mbrëmjen e së hënës, Elbasani do të presë Partizanin në “Elbasan Arena”, në orën 19:00. Partizani kërkon rikthimin te fitorja për të ruajtur vendin e katërt, ndërsa Elbasani synon triumfin në shtëpi për të forcuar pozicionin e saj në renditje.




