Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) duhet të “ndryshojë strategjinë” në trajtimin e luftës Rusi-Ukrainë dhe të fokusohet në bisedimet e paqes dhe hartimin e propozimeve për paqen në vend që të fitojë.
“Nuk do të ketë paqe pa një ndryshim të strategjisë. Ne nuk mund të zgjidhim asnjë problem pa paqe”, tha Orban, duke folur në një konferencë për media në Vjenë me kancelarin austriak, Karl Nehammer.
Sipas kryeministrit hungarez, Ukraina po lufton kundër Rusisë me mbështetjen e NATO-s dhe lufta nuk mund të fitohet në këtë metodë.
Orban tha se nëse nuk ndërmerren hapa për paqen, BE-ja mund të përballet me një ekonomi lufte.
“Nëse do të ketë një rënie ekonomike, kjo do të rrisë normat e papunësisë, e cila do të na paraqesë probleme serioze në aspektin e stabilitetit ekonomik dhe politik”, tha ia.
Më tej, Orban tha se nuk është e mundur të destabilizohet Moska me sanksione. Pikëpamja se BE-ja do të ruajë stabilitetin politik pa përjetuar probleme ekonomike pavarësisht sanksioneve, tha ai, “nuk është një strategji e përshtatshme”.
Duke pretenduar se vendet arabe, India dhe Kina nuk janë në anën e BE-së sa i përket strategjisë së saj, Orban tha se, “Si Hungari, ne themi se kjo strategji duhet të ndryshohet”.
Siç tha kryeministri hungarez, Hungaria nuk dëshiron të mbështesë embargot ose kufizimet e BE-së për importet e gazit rus si pjesë e paketës së sanksioneve të bllokut evropian kundër Moskës për shkak të luftës.
Ai theksoi se megjithatë Hungaria zbaton të gjitha vendimet e BE-së për sanksione ndaj Rusisë, si dhe shtoi se deklaratat e Brukselit për kursimet e gazit natyror ose sa gaz do të kursejë ose do të përdor një vend “nuk përgjigjen pozitivisht”. Sipas tij, çdo vend duhet të marrë vendimet e veta në lidhje me nevojat për energji.
Kancelari austriak Nehammer, nga ana e tij, tha se Hungaria është një aleat i rëndësishëm për Austrinë, veçanërisht në lidhje me sigurinë.
Ai tha se përveç problemeve të ndryshme të vazhdueshme, çështja e emigrimit të parregullt është një çështje serioze dhe për këtë po punojnë ngushtë me Hungarinë, por shtoi se duhet një strategji tjetër.
Duke theksuar rëndësinë e bashkimit të Austrisë, Hungarisë dhe Serbisë për të adresuar çështjen e emigrimit të parregullt, Nahammer tha se duhet të ndërmerren hapa kundër emigrantëve të parregullt të cilët janë të përqendruar në kufijtë e këtyre vendeve në rrugën e migrimit.