Skip to content

Orban “shan” Brukselin dhe deliron: Europa jemi ne!

Kryeministri hungarez Viktor Orban thotë se Budapesti ka mësuar se nuk ka pse të pëlqejë “elitën e lodhur të Brukselit”, duke theksuar nga ana tjetër se Hungaria është e ardhmja e Evropës.

“Në dhjetë vitet e fundit, ne kemi mësuar se Evropa nuk është në Bruksel,” i tha ai kombit, cituar nga agjensia hungareze e lajmeve MTI.

“Europa jemi ne dhe nuk kemi pse ta pëlqejmë elitën e lodhur të Brukselit … Në të kaluarën, ne menduam se Evropa ishte e ardhmja jonë, por sot e dimë se ne jemi e ardhmja e Evropës,” shtoi ai.

Orban ka qenë në kundërshtim me Brukselin për një kohë të gjatë dhe po sulmon gjithashtu Bashkimin Evropian dhe Partinë Popullore Evropiane (EPP), në të cilën partia e tij Fidesz është pezulluar.

“Ne kemi probleme me BE-në dhe këto probleme burojnë nga një qasje e ndryshme se si të ndërtojmë Evropën,” tha Orban.

Orban është i kënaqur që Hungaria ka gjetur një “bazë të përbashkët” me vendet fqinje; Kroacinë, Sllovakinë, Slloveninë dhe Serbinë dhe është në gjendje të hyjë në një bashkëpunim më të gjerë me ta dhe të krijojë aleanca.

“Historia u ka dhënë mundësinë njerëzve të Evropës Qendrore të ndërtojnë një aleancë të re, bazuar në interesat e tyre kombëtare, e cila do të na lejonte të mbrohemi kundër kërcënimeve nga Lindja dhe Perëndimi,” tha ai.

Ai theksoi se faktet tregojnë se dekada e fundit paraqet dhjetë vitet më të suksesshme në 100 vitet e fundit të historisë hungareze.

“Vendi ynë e di se Hungaria vjen e para,” tha Orban.