Organizata Arabe për të Drejtat e Njeriut (AOHR), duke dënuar vendimin e qeverisë franceze për kontrollin e xhamive në vend, paralajmëroi se “presioni sistematik” që zbatohet ndaj muslimanëve nxit urrejtjen, kërcënon paqen dhe sigurinë shoqërore në të gjithë Evropën.

Në një deklaratë me shkrim nga AOHR me qendër në Britani i bëhet thirrje Bashkimit Evropian (BE) që të mos qëndrojnë të heshtur përballë politikave të ashpra që qeveria franceze zbaton kundër muslimanëve.

“Qeveria franceze që prej 16 tetorit e deri më tani ka filluar fushata për arrestime kundrejt muslimanëve dhe në këtë kuadër ka mbyllur mbi 20 xhami”, thuhet në deklaratën në të cilën theksohet se kjo situatë nxit edhe më tej urrejtjen në Francë edhe në vende të tjera.

Gjithashtu në deklaratë dënohet edhe njoftimi i ministrit të Brendshëm francez, Gerald Darmain, lidhur me veprimin për kontrollimin e 76 xhamive në vend.

Në deklaratën e AOHR, thuhet se politika e qeverisë franceze kundër arabëve dhe muslimanëve nxit armiqësinë ndaj muslimanëve, rrit sulmet dhe është në përputhje me politikat e ekstremit të djathtë që bën thirrje për zbatimin e kontrollit të rreptë dhe i cili kërkon mbylljen e xhamive.

“Politika e qeverisë franceze shkel normat e BE-së dhe vendimet e gjykatave të BE-së si dhe shkel ligjet ndërkombëtare që mbështesin lirinë mendimit dhe shprehjes si dhe lirinë e adhurimit. U bëjmë thirrje autoriteteve franceze që të trajtojnë muslimanët në mënyrë të barabartë në përputhje me ligjet lokale dhe ndërkombëtare dhe që qeveria franceze të heqë dorë nga qasjet e periudhës ‘mesjetare dhe koloniale’”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Në Francë do të kontrollohen 76 xhami

Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, dje në një deklaratë njoftoi se do të kontrollojnë 76 xhami në vend.

“Do të kontrollohen nëse janë apo jo shkolla të lidhura me xhamitë dhe shkolla për Kur-anin, nëse radikalizohen apo jo imamët, do të kontrollohet menaxhimi i xhamisë dhe se nga vijnë financimet”, tha Darmanin.

Janë mbyllur 43 xhami në 3 vitet e fundit

Në Francë janë rritur presionet dhe bastisjet ndaj xhamive dhe shoqatave muslimane pas vrasjes së mësuesit Samuel Paty më 16 tetor.

Në një deklaratë më 3 nëntor, ministri Darmanin bëri të ditur se në 3 vitet e fundit që nga ardhja në detyrë e presidentit Emmanuel Macron e deri më tani janë mbyllur 43 xhami.

Me projekt ligjin “Separatizmi Islamik” që qeveria Macron ka përgatitur dhe të cilin do ta paraqesë në Këshillin e Ministrave më 9 dhjetor, synohet kontrollimi i rreptë i financimeve ndaj xhamive, me presionin mbi muslimanët, rritjen e kontrollit ndaj shoqatave muslimane, si dhe ardhja e punonjësve fetarë nga jashtë vendit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re