Kërkimet në fushën e parandalimit të sëmundjes së kancerit dëshmojnë gjithnjë e më shumë trajtime dhe kura duke rritur mundësitë për të mbijetuar, por Dita Botërore Kundër Kancerit është pikërisht rasti për të sjellë në kujtesë se ka gjithnjë e më tepër të prekur nga kjo sëmundje.

Kanceri, tërësia e patologjive që rigrupohen nën këtë emërtim, shkaktoi 8,8 milionë të vdekur në vitin 2015, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Kjo sëmundje renditet e dyta si shkaktarja e vdekjeve në botë, pas sëmundjeve kardiovaskulare.

Është vërtetë paradoksale të mendosh që numri i të mbijetuarve është në rritje në sajë të progreseve të arritura në fushën e mjekësisë, megjithëse numri i të prekurve sa vjen e rritet. Sipas OBSH-së, kjo shifër parashikohet të rritet ndjeshëm gjatë dy dekadave të ardhshme.

Për organizatën, e cila këtë vit feston 100-vjetorin e krijimit, lufta ende nuk ka përfunduar.

Disa faktorë sqarojnë shifrat në rritje të sëmundjes në të gjithë planetin.

Fillimisht plakja e popullsisë, pasi rreziku i prekjes nga kanceri rritet me kalimin e moshës.

Më pas renditen faktorët strukturorë. Dëmet e shkaktuara nga konsumimi i duhanit, produkti i parë përgjegjës i kancerit në botë.

“Ushqimet e gatshme’’, përhapja në botë e produkteve ushqimore industriale me ndikim në rritjen e obezitetit janë faktorë rreziku.

Së fundmi, industrializimi dhe urbanizimi i keqmenaxhuar renditen ndër shkaqet e sëmundjes së kancerit, ku vlen të përmendet ekspozimi ndaj elementëve ndotëse si azbesti, metalet e rënda, materialet toksike, me në krye dioksinat, por edhe ndotja e ajrit. /atsh/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re