Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) kërkoi llogaridhënie nga forcat izraelite për krimet dhe ekzekutimet jashtëgjyqësore të kryera kundër palestinezëve.

Në një deklaratë me shkrim nga OBI, kujtohet se policia izraelite qëlloi dhe vrau 16-vjeçarin palestinez Omar Abu Saab me dyshimin se “tentoi sulm me thikë” në Kudsin Lindor të pushtuar më 17 nëntor.

Duke theksuar se dhuna në rritje dhe sulmet e Izraelit kundër popullit palestinez paraqesin rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve në rajon, në deklaratë thuhet: “OBI dënon fuqishëm krimet e kryera nga forcat pushtuese izraelite kundër popullit palestinez, e fundit prej të cilave ishte ekzekutimi i një djali nga Kudsi të quajtur Omar Abu Saab në mes të rrugës”.

Në deklaratë theksohet se vdekja e palestinezit Sami al-Ammur, i burgosur në një burg izraelit, dje për shkak të neglizhencës mjekësore, ishte pasojë e “trajtimit çnjerëzor” të të burgosurve palestinezë.

Në deklaratën ku thuhet se administrata izraelite duhet të mbahet përgjegjëse për këto krime, Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera relevante ndërkombëtare iu kërkua të formojnë një komitet për të hetuar incidentet me Omar Abu Saab dhe Sami Ammur.

OBI i bëri thirrje gjithashtu bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyjë për të liruar të burgosurit palestinezë në grevë urie në burgjet izraelite.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re