Organizata për Çlirimin e Palestinës (OÇP) ka reaguar ndaj kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump se SHBA do të shkurtojë ndihmën ndaj vendeve të cilat në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) votojnë kundër vendimit të tij për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit.
“Presidenti Trump duhet ta dijë se ka gjëra që nuk janë në shitje, as subjekt i shantazheve, sidomos çështjet që i përkasin parimeve, ligjshmërisë dhe moralit”, thuhet në një deklaratë të nënshkruar nga anëtarja e komitetit ekzekutiv të OÇP-së, Hanan Ashrawi.
Ajo shtoi se SHBA me këto veprime dhe me këtë politikë vetëm se do të izolohet më tej në nivel global.
“Shantazhi është mënyra më efektive që SHBA të vetë-izolohet më tej dhe të dobësojë influencën dhe reputacionin e saj në nivel ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.
Në fund, theksohet se palestinezët nuk do të zbrapsen nga veprime të tilla të administratës amerikane, shkruan aa.
“Kjo nuk do të na trembë dhe nuk do të na dekurajojë. Shumica e vendeve anëtare të AP të OKB-së do të respektojnë detyrimet e tyre ligjore dhe politike ndaj Palestinës”, thuhet në fund të deklaratës.
Trump ka kërcënuar se SHBA do të shkurtojë ndihmat për vendet që votojnë në AP të OKB-së kundër vendimit të saj për të njohur Kudsin si kryeqytet të Izraelit. /KosovaPost/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re