Kreu i Zyrës Federale të Gjermanisë për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV), Thomas Haldenwang tha se janë duke zhvilluar luftë kundër PKK-së, si një organizatë ndërkombëtare terroriste, edhe në Gjermani.

Haldenwang, në deklaratën e tij në prezantimin e Raportit të Mbrojtjes së Kushtetutës 2021, theksoi se PKK-ja vazhdon të kryejë sulme dhe vrasje në Türkiye (Turqi).

“Mbledhin donacione në Gjermani dhe e përdorin këtë për të financuar terrorin në Türkiye. Gjermania konsiderohet si zonë pushimi dhe tërheqjeje për PKK-në. Mundohen të krijojnë ndikim politik edhe këtu. Po përpiqen të bindin të rinjtë nga Evropa që t’i bashkohen PKK-së. Në këtë kontekst përpiqen që t’i fitojnë njerëzit si luftëtarë. Kundër kësaj luftohet edhe në Gjermani”, tha ai.

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser tha se nuk ka ndryshuar qëndrimi i vendit të saj ndaj PKK-së. Ajo potencoi se vazhdon lufta kundër PKK-së e cila është organizatë ndërkombëtare terroriste.

Në raportin e inteligjencës gjermane, thuhet se PKK është organizata më e madhe terroriste e huaj në vend.

Sipas raportit vjetor të inteligjencës, organizata terroriste PKK e cila ka 14.500 anëtarë në Gjermani, përdor vendin për aktivitete të mbledhjes së fondeve dhe aktivitete propagandistike.

Raporti i BfV tregon se organizata terroriste PKK vitin e kaluar në Gjermani ka mbledhur 16,7 milionë euro “donacione”.

Autoritetet gjermane kanë zbuluar se rreth 150 anëtarë të PKK-së që kanë marrë pjesë në sulmet e armatosura në Siri dhe Irak, janë kthyer në Gjermani.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re