Organizata terroriste YPG/PKK vazhdon të rekrutojë me forcë fëmijët në Siri

Siri-ypk.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Organizata terroriste YPG/PKK ka vazhduar të keqpërdorë dhe rekrutojë me forcë fëmijët në zonat nën kontrollin e saj në verilindje të Sirisë.

Sipas disa burimeve, më 21 nëntor në Amuda në provincën Al-Hasakah terroristët e YPG/PKK-së arrestuan tre vajza të tjera 15-vjeçare, Hediyye Abdurrahim Anter, Evin Jalal Halil dhe Ayana Idris Ibrahim, për t’i rekrutuar me forcë si “fëmijë luftëtarë”.

Grupi terrorist arrestoi dy fëmijë, 13 dhe 16-vjeç, në fillim të gushtit. Ndërkaq, dy fëmijë të moshës 16 dhe 13-vjeç u rrëmbyen më 23 gusht.

YPG/PKK po i çon fëmijët në të ashtuquajturat kampet e saj të trajnimit në Al-Hasakah.

Keqpërdorimi i fëmijëve si luftëtarë nga grupi terrorist dhe edukimi i tyre për qëllime ushtarake është dokumentuar vazhdimisht në raportet e OKB-së.

Një raport i OKB-së i titulluar “Fëmijët dhe konflikti i armatosur në Republikën Arabe Siriane”, i publikuar më 18 maj, tregon se YPG/PKK-ja keqpërdori më shumë se 400 fëmijë midis korrikut 2018 dhe qershorit 2020.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë