Dy administratorë të lokaleve të natës janë proceduar penalisht në Durrës pasi kanë hapur aktivitetin në kundërshtim me aktin normativ për koronavirusin.

Në këto lokale organizohej muzikë ‘live’ dhe merrnin pjesë një masë e madhe njerëzish, duke u shndërruar në rrezik kryesor për përhapjen e koronavirusit. Si pasojë janë shoqëruar në ambinetet e policisë edhe 7 balerina, të cilat pas procedimeve janë lënë të lira ashtu si pronarët.

Deklarata e policisë:

Organizuan akivitete masive me muzikë live dhe balerina në lokale nate, në kundërshtim me Aktin Normativ dhe urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë, procedohen penalisht dhe me masë administrative 2 administratorë lokalesh nate.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës vijojnë kontrollet për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, pika 2, datë 15.03.2020, i cili është akoma në fuqi, për subjektet apo individët që organizojnë aktivitete publike dhe jopublike, si koncerte etj, në vënde të mbyllura, si dhe të urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, datë 29.05.2020, “Për marjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”.

Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dy subjekte me muzikë live që ushtronin aktivitetin në mënyrë të kundërligjshme.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Policisë dy administratorët e subjekteve dhe 7 balerina. Në përfundim të veprimeve të para u proceduan në gjendje të lirë shtetasit:

B. K., 27 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua se në subjektin “Muzikë live”, në administrim të tij, në lagjen nr.13, Durrës, kishte organizim me muzikë në ambient të mbyllur.

D. P., 60 vjeçe, banuese në Durrës, pasi shërbimet e Policisë kanë konstatuar se në subjektin “Muzikë live” në pronësi të saj, në Shkallnur, kishte organizim me muzikë në ambient të mbyllur.

Nga ana e ISHP-së janë marë masa administrative ndaj subjekteve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Durrësit apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet portokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re