Muzikanti dhe orkestruesi Armand Broshka është një nga talentet që me punën e tij po hedh hapa të rëndësishëm drejt publikut shqiptar.

Muzika për të është qendra e universit. Bashkëpunimet janë të shumta.

Së fundmi orkestroi këngën fituese të Besa Kokdhimës, me të cilën Shqipëria do të përfaqësohet në Eurovision.

I ftuar në “Vizioni i Pasdites” në ekranin e Vizion Plus me moderatoren Brikena Prifti, Broshka ka rrëfyer edhe hapat e parë të karrierës. Sipas tij, suksesi vjen vetëm duke punuar.

“Fillohet me shkollën, është një udhëtim i gjatë. Është goxha rrugëtim për një muzikant. Pastaj është pjesa e disave që zgjedhin tregun e lirë, disa janë pjesëtarë orkestre, etj”, tha Broshka.

Broshka i është mirënjohës prindërve, edhe pse nuk janë pjesë e muzikës.

“Prindërit e mi duke parë fëmijët e tjerë, morën vendimin që unë të isha pjesë e muzikës”, tha ai.

Por pse violina?

“Prindërit gjykuan se është më fine, pavarësisht se do më pëlqente dhe viloinçeli apo piano. I gjithë rrugëtimi është punë, mund të marrësh një formim, mund të jesh pjesë e një stafi të mirë, por e gjitha është punë. Jam krenar për disa thyerje barrierash. Në Shqipëri dhe në Ballkan ka për të qenë e vështirë muzika serioze. Kudo është publiku elitar. Në vende të vogla ku nuk ka shumë popullatë është çështje e ministrive, shteti që mund të ofrojë projekte të ndryshme, se tregu i lirë nuk të gëzon, apo mund t’ia dalësh. Por me një lloj dëshire për punën…kjo është ajo që na mban”, tha ai.

Broshka shprehet i kënaqur për zgjedhjet që ka bërë dhe viti 2023 ka qenë më i suksesshmi për të.

“Eurovisioni ka një specifikë të caktuar, nuk mund të çosh çfarëdolloj kënge. Konteksti i kohës dhe profesionalizmi, ne i mëshojmë fort kësaj gjëje. Nuk mund të çosh tallava, ose një muzikë hip-hop sepse orkestra nuk mund ta shoqërojë. Do çosh një muzikë serioze dhe materialet përgatiten nga instumentistët dhe shoqërohen nga orkestra”, përfundoi Broshka./ 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re