
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar pas ndryshimeve të fundit në Kodin Penal. Ajo mirëpret vendimin lidhur me shpifjen duke e konsideruar si një hap të parë të rëndësishëm drejt forcimit të lirisë së shprehjes.
OSBE-ja thekson se forcimi i mbrojtjes për gazetarët ka qenë një rekomandim i hershëm i saj. Po ashtu, vijon të inkurajojë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përdorimin e masave civile proporcionale.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret ndryshimet e fundit në Kodin Penal lidhur me shpifjen, si një hap të parë të rëndësishëm drejt forcimit të lirisë së shprehjes. Forcimi i mbrojtjes për gazetarët pasqyron një rekomandim të hershëm të OSBE-së.
Ne vijojmë të inkurajojmë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përdorimin e masave civile proporcionale”.
Me 85 vota pro dhe 9 kundër, pas një seance maratonë Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal, mes të tjerash depenalizimi i shpifjes për gazetarët, që mazhoranca e konsideroi arritje për lirinë e shprehjes, ndërsa opozita e kundërshtoi ashpër si të paplotë.

Ligji shoqërohet me masa mbrojtëse për sigurinë e gazetarëve, duke dënuar më shumë kërcënuesit dhe dhunuesit për shkak të profesionit.
Socialistët u shprehën kundër propozimit të PD-së që të hiqet shpifja si vepër penale për të gjithë qytetarët shqiptarë.


