Prezenca e OSBE në Tiranë reagoi pas takimit të mbajtur këtë të premte për reformën zgjedhore. Përmes një postimi në “Twitter”, OSBE u shpreh se do të vijojë të japë kontributin për të lehtësuar dialogun mes palëve dhe për të arritur një produkt përfundimtar.

 

“Vijojmë të lehtësojmë dialogun për reformën zgjedhore. Sot, organizuam një takim informues mes bashkëkryetarëve të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore dhe përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë, lidhur me përparimin e reformës zgjedhore.”

 

Më herët, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri tregoi në rrjetet sociale se ambasadorët mbështesin bisedimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

 

“Bashkë me Rudinën, në cilësinë e drejtuesve të Komisionit Parlamentar 🏛 për Reformën Zgjedhore 🗳 zhvilluam një bashkëbisedim të frytshëm me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë. Në tryezën e organizuar nga OSBE, informuam ambasadorët mbi zhvillimet e deritanishme në kuadër të procesit të reformës dhe dialogun e nisur me përfshirjen e opozitës jashtë parlamentare. Ambasadorët mbështetën e inkurajuan vazhdimin e procesit të dialogut dhe përmbylljen sa më shpejt të reformës zgjedhore #ReformaZgjedhore.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re