Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se sipas të gjitha gjasave data për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë të komuave në veri, do të jetë 18 dhjetori.

 

Sipas saj, vendimin për datën e mbajtjes së zgjedhjeve për komunat në veri do ta bëjë publik “sonte apo nesër në mëngjes”.

 

Këto deklarata presidentja Osmani i bëri pas takimit me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës.

 

“Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët serbë të Kosovës se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është detyrim kushtetues që ka lindur nga akti i dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave. Assesi nuk është çështje dëshire apo vendim që mund të ndryshohet, sepse nuk ka rrugë tjetër”, theksoi Osmani.

 

Ajo tha se do t’u drejtohet me kërkesë të gjithë partnerëve ndërkombëtarë “për monitorim të zgjedhjeve dhe pjesëmarrje sa më të madhe ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor”.

 

Osmani tha, gjithashtu, se duhet të bëhen përgatitjet e nevojshme edhe me institucionet e sigurisë “që procesi i fushatës zgjedhore, e më pas dita e mbajtjes së zgjedhjeve të shkojnë qetë dhe pa tensione”.

 

Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e Vetëvendosjes, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe të partive tjera minoritare në Kosovë.

 

Ndërsa, të pranishëm nuk ishin përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe.

 

Katër komunat e banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – janë pa kryetarë qysh nga 5 nëntori.

 

Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë thotë se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës, ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit Komunal, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga presidenti i Kosovës”.

 

Zgjedhjet, sipas Ligjit, shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes së kuvendeve komunale, ndërsa duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së tyre.

 

Dorëheqje kanë dhënë edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri – nisur nga policia deri te gjykatat. Dorëheqje kanë dhënë edhe 10 deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, të cilët vinin nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.

 

Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.

 

Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re