Presidentja Vjosa Osmani u takua me dyshen Lajçak – Escobar, njëri emisar special i BE-së në rajon e tjetri zëvendësndihmës Sekretar i SHBA-së, njëherësh përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor. Mes tyre u diskutua mbi procesin e dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.

Osmani theksoi se Kosova është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit.

Ajo gjithashtu përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.

“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jo konstruktive”, tha Osmani.

Duke vënë në pah konstruktivitetin e Kosovës, presidentja Osmani gjithashtu bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duhet të rivendoset besimi në procesin e dialogut.

Osmani tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, ajo tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e BE-së si ndërmjetësues i dialogut.

Presidentja Osmani po ashtu theksoi edhe një herë rëndësinë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur si prioritet i procesit të dialogut.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re