Skip to content

Osmani dhe Kurti: Kosova dhe SHBA-ja pajtohen që dialogu të përqendrohet në njohje

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, thanë se gjatë vizitës së tyre në Shtetet e Bashkuara është rikonfirmuar mbështetja e Uashingtonit për Kosovën, si në fushën e ekonomisë, por edhe të integrimeve evropiane.

 

Osmani dhe Kurti qëndruan për disa ditë në SHBA, ku u takuan me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe morën pjesë në nënshkrimin e një marrëveshjeje në vlerë prej mbi 200 milionë dollarësh me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

 

Pas kthimit në Kosovë, në një konferencë për media në aeroportin “Adem Jashari”, Osmani tha se në takim, Blinken ka konfirmuar qëndrimi që dialogu me Serbinë të përqendrohet në njohje reciproke.

 

“Në këtë temë është tejet me rëndësi që sërish është rikonfirmuar qëndrimi amerikan që asesi nuk shtyjnë përpara një zgjidhje që do ta prekte integritetin territorial, sovranitetin e Republikës së Kosovës apo edhe rregullimin kushtetues të Kosovës”, tha Osmani.

 

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, me qëllim të normalizimit të raporteve.

 

Por, Kosova insiston që procesi duhet të përmbyllet me njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi.

 

Kryeministri Kurti tha se takimi me sekretarin Blinken ishte i “veçantë” dhe i “dobishëm” për Kosovën. Duke folur për dialogun, ai tha se Prishtina dhe Uashingtoni pajtohen se si duhet të përmbyllet procesi.

 

“Dhe si duket formula e këtij normalizimi, përsëri ne pajtohemi plotësisht me SHBA-në. E ajo është: marrëveshje ligjërisht e obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve e cila në qendër ka njohjen reciproke”, tha Kurti.

 

Osmani bëri të ditur se në takim me Blinkenin kanë biseduar për njohjet e Kosovës dhe ka marrë mbështetjen e SHBA-së në këtë çështje, por edhe për rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

 

Të dy krerët shtetërorë pranuan se gjatë takimit më 27 korrik në Uashington, sekretari Blinken ka shtruar edhe çështjen e Manastirit të Deçanit, por as Osmani dhe as Kurti nuk elaboruan më tej nëse ka pasur një kërkesë nga SHBA-ja për këtë temë, teksa Osmani tha se kjo temë u shtrua “në kontekstin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”.

 

SHBA-ja vazhdimisht i kërkon Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 që t’i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit për 24 hektarë tokë.

 

Por, Kurti dhe autoritetet lokale në Deçan në të kaluarën ka thënë se ky vendim është diskriminues dhe legalizon vendimin e ish-presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, që më 1997 vendoi t’ia dhurojë pronën Manastirit të Deçanit.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë