Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti janë takuar në Uashington me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Gjatë bisedës, Sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Ai falenderoi gjithashtu dy udhëheqësit për mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe pritjen e afganëve që u larguan nga vendi i tyre pas ardhjes në pushtet të Talebanëve.

 

ANTONY BLINKEN SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT

Jam i lumtur që po zhvillojmë këtë takim. Kosova është një partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara dhe mendoj se, siç e dini të gjithë, mes nesh ka një histori të gjatë dhe të fortë, veçanërisht dua t’ju falenderoj për mikpritjen që i keni bërë afganëve dhe suportim e madh që keni treguar për Ukrainën.

 

Presidentja Vjosa Osmani tha për mediat se u diskutua mbi sfidat me të cilat ballafaqohet vendi, për të cilat siç u shpreh ajo “duhet përkrahja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Në takim është folur edhe për “çështjet kritike të sigurisë rajonale”, por nuk dha më shumë detaje.

 

VJOSA OSMANI PRESIDENTE E KOSOVES

Diskutuam tema qe kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës dhe në arenën ndërkombëtare, natyrisht paraqitëm para sekretarit reformat, të cilat janë duke u ndërmarrë në republikën e Kosovës dhe në të njëjtën kohë sfidat më të cilën ballafaqohen për të cilat kemi nevojë për përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe një herë u konfirmua se republika e Kosovës nuk ka mik më të madhe se SHBA.

 

Ndërsa Kryeministri Kurti tha se e shfrytëzoi takimin me Sekretarin Blinken për të kërkuar më shumë investime amerikane në Kosovë.

 

ALBIN KURTI KRYEMINISTER I KOSOVES

 

Njëkohësisht ne shfrytëzuam rastin që nga sekretari Blinken kërkuam shtimin e investimeve Amerikane në Kosovë ,por gjithashtu të rrisim shkëmbimin tregtarë midis dy vendeve tona.

 

Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës do të marrin pjesë nesër në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për Programin Kompakt, me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit, një projekt në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, që ka për qëllim forcimin e sektorit të energjisë në Kosovë dhe fuqizimin e përfshirjes së grave në këtë fushë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re