Presidentja e Kosovës Vjosa osmani dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç u përplasën gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua për raportin për Kosovën.

 

Osmani iu përgjigj akuzave të Brnabiç, duke i përmendur listën e moszbatimit të marrëveshjeve dhe duke theksuar se Kosova dëshiron zbatim të plotë dhe të shpejtë, ndryshe nga Serbia që kërkon luftë.

 

VJOSA OSMANI

PRESIDENTE E KOSOVËS

“Është vetëm një e vërtetë që mund të dëshmohet.  Serbia dëshiron territorin e Kosovës të cilin nuk do ta marrë kurrë. E ndërsa ne ishim të përkushtuar për bisedime paqësore me Serbinë, ata përdorën force. Ne duam drejtësi dhe llogari, dhe Serbia do mohim dhe mosndëshkim; Ne duam paqe dhe Serbia më 24 shtator ka treguar që fatkeqësisht do luftë, por ne nuk do t’i lëmë ta kenë.”

 

Nga ana tjetër kryeministrja e Serbisë akuzoi Kosovën se po shkel të drejtat e serbëve, ndërsa ngriti pyetjen pse Prishtina nuk e ka implementuar marrëveshjen për 10 vite me radhë.

 

ANA BRNABIÇ

KRYEMINISTRE E SERBISË

 “Serbia ka bërë gjithçka që është kërkuar nga marrëveshja e Brukselit. Prishtina nuk ka bërë asgjë, kjo tregon sa të përkushtuar janë ata. Ju dëgjuat që serbët gëzojnë të drejta të plota në Kosovë, kështu? Në fakt ata kanë të drejta të plota, por vetëm në letër.”

 

Akuzat e Brnabiç u mbështetën edhe nga ambasadori rus në OKB, i cili akuzoi Kosovën për shtypje të serbëve.

 

VASILY NEBENZYA

AMBASADOR I RUSISË NË OKB

“Kemi shumë pyetje për ngjarjet në Banjskë. E para, pse përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk u përfshin. Në ngjarjet të ngjashme në të kaluarën, EULEX-i ka patrulluar zonën dhe KFOR-i ka shkuar menjëherë për të ndarë palët luftuese. Tani e gjithë situata iu la në dorë shqiptarëve të Kosovës, që çoi në këtë përfundim tragjik. Perëndimi nuk priti për hetimet, por menjëherë e quajti sulm të tmerrshëm”

 

Një përgjigje e qartë për përfaqësuesin rus erdhi nga ambasadori shqiptar në OKB, Ferit Hoxha.

 

FERIT HOXHA

AMBASADOR I SHQIPËRISË NË OKB

“Atyre që pengojnë procesin e dialogut të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet t’u rezistohet. Ata që mendojnë se mund t’i zgjidhin problemet me manipulime, kërcënime dhe lojëra lufte duhet të sanksionohen. Ata që duan të luajnë bixhoz dhe të rrëmbejnë të ardhmen e Serbisë dhe Kosovës si fqinjë, duhet të japin llogari. Është e domosdoshme të shikosh, të projektosh dhe të ecësh përpara.”

 

Ndërkaq, përfaqësuesi i Kinës deklaroi se Pekini mbështet një zgjidhje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbinë, por siç tha ai Pekini bën fajtore Prishtinën për rritjen e tensioneve në veri.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re