Në një intervistë për CNN, për gazetaren e njohur Becky Anderson, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, foli për vitet ’99, kur NATO ndërhyri duke goditur Millosheviçin. Thënë këtë, nën dritën e zhvillimeve të reja nga sulmi rus ndaj Ukrainës, ku kjo aleancë ushtarake po ridimensionohet.

“Ne nuk e shohim NATO-n thjesht një makinë ushtarake, ne e shohim NATO-n si makinë të bazuar në vlera. Në vitin ’99, NATO nuk ka qëndruar ‘duarkryq’ teksa populli i Kosovës po shtypej dhe në të njëjtën kohë ishte viktimë e gjenocidit nga forcat e Millosheviçit”.

Siç tha më tej Osmani, “viti 1999 është shembull se si kur bota dhe demokracia qëndrojnë të bashkuara, e udhëheqin një popull drejt pavarësisë”.

Sa i përket aktualitetit, më saktë marrëveshjes me Serbinë, Osmani tha se Serbia duhet të shkëputet nga e kaluara, më konkretisht nga trashëgimia e Millosheviçit.

“Është e qartë se njohja reciproke është në qendër të dialogut për Kosovën dhe Serbinë, dhe sa më shpejt që Serbia të kuptojë se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, aq më mirë për të,  po ashtu për paqen dhe stabilitetin afatgjatë për gjithë rajonin. Kështu që unë shpresoj se Serbia do të shkëputet dhe do të merret me gabimet e saj, por më e rëndësishmja do të shkëputet nga trashëgimia e Millosheviçit”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re